Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka nderuar qëndresën e popullit hungarez për liri dhe pavarësi, duke theksuar se përvoja historike e Kosovës e bën të kuptueshme rëndësinë e kësaj vlere për çdo komb.
Ajo i bëri këto deklarata në pritjen e organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë, me rastin e 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956, një ngjarje që shënon një nga kapitujt e rëndësishëm të përpjekjeve evropiane për liri, dinjitet dhe të drejta njerëzore.
Në fjalimin e saj, Shiroka Pula vlerësoi guximin e qytetarëve hungarezë që u ngritën kundër shtypjes, duke nënvizuar se aspiratat e tyre vazhdojnë të përfaqësojnë vlera themelore të trashëgimisë evropiane.
“Populli i Republikës së Kosovës, e kupton mirë se çfarë rëndësie ka liria për një komb. Historia jonë, duke nisur që nga qëndresa e Gjergj Kastriotit Skënderbeut deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpallja e pavarësisë, dëshmon për përpjekjen e vazhdueshme të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre”, u shpreh Presidentja Shiroka Pula.
Prandaj, shtoi ajo, kur kujtojmë Revolucionin Hungarez të vitit 1956, e kuptojmë domethënien e kësaj date për popullin hungarez, duke theksuar se, qëndresa e qytetarëve hungarezë përballë shtypjes është pjesë e historisë evropiane të lirisë.
“Lidhjet historike ndërmjet ne shqiptarëve dhe hungarezëve dëshmohen edhe nga marrëdhëniet e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me heroin tuaj Janosh Huniadin dhe, më vonë, me të birin e tij, Matias Korvinin. Këto marrëdhënie zhvilluan në një periudhë të rëndësishme të historisë evropiane”, ka theksuar Presidentja Shiroka Pula.
Sipas saj, shembulli i tyre na rikujton se bashkëpunimi ndërmjet popujve, kur mbështetet në interesa dhe synime të përbashkëta, mund t`i kapërcejë kufijtë dhe dallimet.
“Kjo trashëgimi historike përbën një pikë referimi të rëndësishme edhe në marrëdhëniet e sotme ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë. Miqësia ndërmjet dy vendeve është dëshmuar edhe në kohën tonë, përmes marrëdhënieve diplomatike, bashkëpunimit në fushën e sigurisë, arsimit dhe ekonomisë. Hungaria e njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës në mars të vitit 2008 dhe aktualisht kontribuon me mbi 400 trupa në misionin e KFOR-it, i cili ka rol të rëndësishëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabilitetit në Kosovë. Bashkëpunimi në arsim, përfshirë mundësitë që ofron programi i bursave Stipendium Hungaricum, u krijon të rinjve kosovarë hapësira për dije, shkëmbim përvojash dhe lidhje të reja me institucionet dhe shoqërinë hungareze. Edhe marrëdhëniet ekonomike dhe dialogu politik krijojnë mundësi për ta thelluar më tej partneritetin tonë” theksoi Presidentja Shiroka Pula.
Ajo më tej tha se përvjetori i Revolucionit Hungarez të vitit 1956 është një rast për të nderuar guximin e atyre që u ngritën për liri dhe për të reflektuar mbi vlerat që i bashkojnë shoqëritë tona.
“Për Kosovën, miqësia me Hungarinë është pjesë e një marrëdhënieje që ndërthur historinë me bashkëpunimin e sotëm dhe synimet për të ardhmen. Ne besojmë se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mund të forcohen më tej përmes respektit të ndërsjellë, dialogut të hapur dhe bashkëpunimit konkret. Si Kosova, ashtu edhe Hungaria kanë interes që Evropa të jetë një hapësirë paqeje, sigurie, demokracie dhe mundësish për të gjithë qytetarët”, ka pohuar Presidentja.
