Gazetari i Vizion Plus, Bepin Kolvata, ka siguruar foton e 24-vjeçarit Ylber Luli, i cili humbi jetën mëngjesin e sotëm pas një konflikti me armë zjarri në Shkodër.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, ku 25-vjeçari Andri Vulaj dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj 63-vjeçarit Qamil Luli dhe djalit të tij, 24-vjeçarit Ylber Luli.
Gjatë konfliktit, edhe Andri Vulaj mbeti i plagosur me thikë.
Të tre personat u transportuan në spital për ndihmë mjekësore, por 24-vjeçari Ylber Luli nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.
Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë ndërhynë në vendngjarje dhe bënë të mundur kapjen dhe shoqërimin e Andri Vulajt. Në cilësinë e provës materiale, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë./vizionplus.tv
