Aktuale

Shmanget tragjedia në fluturimin nga Londra drejt Athinës, gabimi i pilotëve pothuajse shkaktoi një katastrofë

Një avion Boeing 737 Max i shpëtoi për pak një aksidenti të rëndë në aeroportin e Lutonit, në Britani, pasi u ngrit nga pista vetëm pak metra përpara fundit të saj.

Sipas raportit të autoriteteve britanike të sigurisë ajrore, gabimet në futjen e parametrave të fluturimit në kompjuterin e bordit bënë që avioni të kishte më pak fuqi sesa duhej gjatë ngritjes.

Ngjarja ndodhi në prill të vitit 2025 në aeroportin e Lutonit, një nga aeroportet më të ngarkuara të Londrës, por u bë publike vetëm së fundmi nga Air Accidents Investigation Branch (AAIB), institucioni britanik që heton incidentet ajrore.

Avioni, i operuar nga kompania charter britanike Ascend Airways, po kryente fluturimin nga Londra drejt Athinës dhe kishte në bord 162 pasagjerë, dy pilotë dhe katër anëtarë të ekuipazhit.

Sipas hetuesve, gjatë lëvizjes në tokë kontrollorët e trafikut ajror u dhanë pilotëve mundësinë që të përdornin një pjesë më të shkurtër të pistës për ngritje, në vend që të përdornin të gjithë gjatësinë e saj. Ekuipazhi e pranoi ndryshimin, por nuk verifikoi në mënyrë korrekte përditësimin e parametrave të ngritjes në kompjuterin e avionit.

Ky gabim bëri që fuqia e motorëve të ishte më e ulët se ajo e nevojshme për distancën e reduktuar të pistës. Sipas të dhënave të hetimit, fuqia maksimale e përdorur ishte 82.1%, ndërsa për atë pozicion ngritjeje kërkohej rreth 85.2%.

Si pasojë, Boeing 737 Max u ngrit nga toka pasi kishte vetëm 162 metra pistë të mbetur, ndërsa në momentin e shkëputjes nga toka lëvizte me një shpejtësi rreth 276 km/h, më pak se ajo e parashikuar për një ngritje të sigurt.

Avioni kaloi fundin e pistës në një lartësi prej më pak se 4 metrash, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë një distancë minimale prej rreth 10.67 metrash për të garantuar shmangien e pengesave.

Hetuesit theksuan se situata mund të ishte kthyer në një katastrofë nëse gjatë ngritjes do të kishte ndodhur një humbje fuqie nga njëri prej motorëve, pasi avioni mund të mos kishte arritur të ndalonte brenda pistës së mbetur ose të fitonte lartësinë e nevojshme mbi pengesat.

AAIB arriti në përfundimin se bëhej fjalë për një gabim procedural të ekuipazhit dhe nuk konstatoi probleme teknike me avionin apo me sistemet e sigurisë.

Kompania ajrore deklaroi se siguria mbetet prioriteti kryesor dhe se operatori që kryente fluturimin ishte përgjegjës për ekuipazhin dhe respektimin e procedurave operative. Sipas saj, partnerët që ofrojnë avionë dhe ekuipazh i nënshtrohen kontrolleve dhe auditimeve të vazhdueshme të sigurisë.

Të Ngjashme