Lajme

‘Shpërthen’ familja Imeri: Opozita rrëzoi Albin Kurtin, tani godet Kosovën – akuza të forta për Vjosa Osmanin

Familja e Haki Imerit ka reaguar me tone të ashpra ndaj zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, duke akuzuar opozitën për veprime që, sipas tyre, dëmtojnë interesat shtetërore.

Në një reagim në Facebook, ata theksojnë se skena opozitare është ndikuar nga faktorë të jashtëm dhe marrëveshje të fshehta politike, duke përmendur edhe rolin e Listës Serbe në këtë kontekst, përcjell “Bota sot”.

Sipas tyre, përplasjet e vazhdueshme, rrëzimi i qeverive dhe pazaret për pushtet kanë penguar ndërtimin e qëndrueshëm të shtetit ndër vite.

Në këtë deklaratë, familja Imeri kritikon edhe zhvillimet brenda LDK-së dhe rolin e figurave të caktuara politike, duke i cilësuar këto si faktorë që kanë dobësuar më tej skenën politike.

Shkrimi i plotë

Miq,

Opozita është kapur nga interesa që nuk i shërbejnë Kosovës.

Lista Serbe, e dirigjuar nga Beogradi, po ndikon hapur në skenën opozitare politike të Kosovës.

Ky është një realitet i hidhur.

Për dy dekada, partitë opozitare nuk ndërtuan shtet.

Nuk përfunduan mandate.

Rrëzuan njëra-tjetrën.

Bënë pazare natën për pushtet.

Ktheheshin sërish me pazare e marrëveshje të fshehta që abuzonin votën e qytetarit.

E prenë në besë njëra-tjetrën.

Themeluan edhe Gjykatën Speciale (këtu mirë kanë bërë).

Madje, Partia Demokratike e Kosovës, në një rast, rrëzoi edhe vetveten sa ishte në qeveri në të kaluarën.

Në vitin 2019, e rrëzuan edhe qeverinë Kurti 1.

Për interesa të huaja politike, për interesa armiqësore.

Ky ishte një moment që tregoi qartë se deri ku shkonin për pushtet ish-pushtetarët e dikurshëm.

Pra, opozitarët e sotëm milionerë po i “tmerron” Agjencioni për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Sot, skenari është edhe më i rrezikshëm.

Ndikimi i Listës Serbe nuk fshihet më.

Nuk fshihet më as loja politike që zhvillohet në prapaskenë.

Vjosa Osmani, e etur për pushtet, me veprimet e saj politike, iu bashkua atyre që dikur i kundërshtonte, që dikur i preu në besë.

Ajo i dha goditje të fortë LDK-së, një partie që tashmë ishte e dobësuar.

E njëjta logjikë rrezikon ta dëmtojë atë edhe më tej, sepse Vjosa Osmani nuk ka mëshirë për LDK-në; ajo do pushtet me çdo kusht.

Qëllimi duket i qartë: dobësimi i shtetit të Kosovës.

LDK-ja mbetet shembulli më i qartë i degradimit politik.

Që pas vdekjes së Ibrahim Rugovës dhe krijimit të asaj që shpesh quhet “kuvendi i karrigeve”, kjo parti ka pësuar rënie të vazhdueshme.

Me Fatmir Sejdiun filloi rënia.

Me Isa Mustafën u thellua kriza.

Partia e Rugovës u përgjysmua dhe humbi drejtimin.

Vjosa Osmani i dha goditjen e radhës.

E dëmtoi, dobësoi edhe më shumë LDK-në.

Sot, kjo LDK e mbetur rrezikon të dëmtohet më tej me afrimin e Vjosa Osmanit.

Kjo parti nuk arrin të bindë votuesit e saj tradicionalë.

Shumë prej nesh nuk e votojmë më LDK-në, sepse kjo nuk është më LDK-ja e Ibrahim Rugovës.

Është një LDK e klaneve, që thirret ditë e natë në emër të Rugovës, ndërsa në thelb e mohon atë.

Një parti me një kryetar që shihet si jo legjitim nga një pjesë e madhe e elektoratit.

Në këtë përballje, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla mbeten alternativa e vetme.

Një qeveri e tij është garanci për shtet, për rend dhe për sovranitet.

Kundërshtarët e tij shqiptarë e serbë janë bërë bashkë jo për ide dhe përparim, por për pazare politike.

Këto zgjedhje janë betejë.

Jo thjesht politike, por shtetërore.

Është përballje mes atyre që duan një Kosovë të fortë dhe atyre që e dobësojnë atë, duke e shtyrë drejt ndarjes dhe, në fund, drejt shpërbërjes.

Të Ngjashme