Lajme

“Shqipëria e ka humbur kredibilitetin ndaj Kosovës, Rama e ka vendosur Serbinë në plan të parë”

Analisti politik dhe gazetari Ismail Muqiqi ka deklaruar se Kosova prej kohësh ka humbur përkrahjen e diplomacisë shqiptare, duke e cilësuar si shkaktar kryesor të kësaj situate kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas tij, politika e ndjekur nga Rama ka bërë që Serbia të marrë një rëndësi më të madhe në raportet e Tiranës, ndërsa Kosova është anashkaluar.

“Ka kohë që Kosova ka humbur përkrahjen e diplomacisë shqiptare. Shkaktari kryesor i kësaj është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili Serbinë e ka vënë në plan të parë, ndërsa Kosovën e ka anashkaluar”, ka thënë Muqiqi.

Image
Ismail Muqiqi

Ai ka vlerësuar se Prishtina ka mbetur jashtë prioriteteve të politikës së Tiranës, duke e lidhur këtë me, siç e quajti ai, një politikë destruktive të kryeministrit shqiptar.

“Patjetër, Prishtina ka mbetur jashtë prioriteteve në krahasim me Shqipërinë për shkak të politikës destruktive të Edi Ramës, i cili në vazhdimësi është duke e shkelur dhe anashkaluar Kosovën. Kjo po i ndodh Kosovës nga diplomacia e Edi Ramës, i cili, për fat të keq, Kosovën e ka vendosur në plan të dytë”, është shprehur ai.

Muqiqi ka thënë se Shqipëria duhet të ketë rol më të madh në avancimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke kërkuar ndryshim të qasjes së Tiranës zyrtare.

“Jo, në asnjë mënyrë, Shqipëria e ka humbur rrugën dhe kredibilitetin në raport me Kosovën. Mjerisht, Shqipëria është përgjegjëse për avancimin e çështjes së Kosovës në diplomacinë ndërkombëtare. Andaj, është momenti i fundit që Shqipëria ta ndryshojë politikën ndaj Kosovës”, ka deklaruar analisti politik dhe gazetari Ismail Muqiqi.

Të Ngjashme