Shqipëria është renditur e para në botë në National Cyber Security Index (NCSI) për zhvillimin e kapaciteteve kombëtare të sigurisë kibernetike, me 98.33 pikë.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë rezultat si një “sukses historik”, duke thënë se ai është rezultat i një pune të gjatë për forcimin e mbrojtjes së infrastrukturës digjitale të vendit.
Rama ka lidhur këtë arritje me sulmin e rëndë kibernetik të 15 korrikut 2022 ndaj Shqipërisë, për të cilin autoritetet shqiptare kanë akuzuar Iranin.
Sipas tij, sulmi, i cili kishte për qëllim dëmtimin e infrastrukturës digjitale shtetërore, nuk arriti ta gjunjëzonte Shqipërinë, por u shndërrua në pikënisje për ndërtimin e një sistemi të ri të sigurisë kibernetike.
“Më 15 korrik 2022 u goditëm. Në vitin 2023 kaluam në vendin e 54 falë nisjes së ndërtimit të një arkitekture të re të mbrojtjes dhe mbledhjes së kapaciteteve të larta profesionale në agjencinë e re të mbrojtjes kibernetike”, ka shkruar Rama.
Ai ka rikujtuar se në vitin 2025 Shqipëria ishte ngjitur në vendin e 15-të, ndërsa tashmë është në krye të klasifikimit botëror.
Sipas kryeministrit Rama, avancimi është bërë pas zhvillimit të arkitekturës së re të mbrojtjes dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë partnerët izraelitë.
Rama ka theksuar se ky rezultat nuk është i rastësishëm, por pasojë e investimeve në kapacitete teknologjike dhe profesionale, si dhe forcimit të institucioneve përgjegjëse për sigurinë kibernetike.
Në reagimin e tij, ai ka përmendur edhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale në sistemin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë.
“Ky nuk është një kërcim magjik në renditje dhe as një dhuratë e rënë nga qielli, po rezultati i një pune të madhe për të ngritur kapacitete teknologjike të nivelit botëror, aftësi institucionale e profesionale të klasit të parë”, ka deklaruar Rama.
Ai ka thënë se sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë kanë vazhduar, por sipas tij ato kanë dështuar të shkaktojnë pasoja të ngjashme me sulmin e vitit 2022.
“Regjimi i Teheranit deshi të na tregonte sa të dobët ishim. Në fakt, na detyroi të bëhemi fuqia që jemi sot në mbrojtjen e Shqipërisë Digjitale”, ka shkruar Rama.
