Shqipëria është bërë zyrtarisht pjesë e NATO Cooperative Cyber Defence Centre of Excellence (CCDCOE), qendra e ekselencës së NATO-s për mbrojtjen kibernetike me seli në Tallinn të Estonisë.
Anëtarësimi i Shqipërisë u formalizua gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit në selinë e CCDCOE, ku iu bashkuan gjithashtu Finlanda dhe Suedia, duke e çuar në 39 numrin e shteteve anëtare dhe partnere të këtij rrjeti ndërkombëtar.
Ky hap vlerësohet si një zhvillim i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike dhe për thellimin e bashkëpunimit me aleatët e NATO-s në përballjen me kërcënimet në hapësirën digjitale.
Përmes këtij anëtarësimi, Shqipëria do të ketë mundësi për shkëmbim ekspertize, pjesëmarrje në trajnime dhe stërvitje ndërkombëtare, si dhe përfshirje në kërkime dhe analiza strategjike në fushën e mbrojtjes kibernetike.
CCDCOE, e themeluar në vitin 2008 dhe e akredituar nga NATO, është një nga institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare në këtë fushë, e cila organizon edhe stërvitjen e njohur “Locked Shields”, ushtrimi më i madh i mbrojtjes kibernetike në botë.
Ky anëtarësim forcon më tej rolin e Shqipërisë në ekosistemin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike dhe bashkëpunimin me strukturat e NATO-s.
