Shqipëria do të bëhet vendi i 73-të që nënshkruan Marrëveshjet Artemis, një nismë ndërkombëtare për bashkëpunimin në eksplorimin paqësor dhe të qëndrueshëm të hapësirës. Ceremonia e nënshkrimit do të zhvillohet më 21 shtator në selinë e NASA-s në Washington.
Ceremonia do të mbahet në orën 12:00 sipas asaj lokale të Washingtonit, në selinë e NASA-s. Vendi do të përfaqësohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Ervin Bushati.
Ceremonia do të organizohet nga zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson, në prani edhe të zyrtarëve të Departamentit amerikan të Shtetit.
Me nënshkrimin e marrëveshjes, Shqipëria do t’i bashkohet një grupi prej 72 shtetesh që kanë aderuar deri tani në Marrëveshjet Artemis, të krijuara në vitin 2020 nga Shtetet e Bashkuara dhe shtatë vende të tjera themeluese.
Çfarë janë Marrëveshjet Artemis?
Marrëveshjet Artemis përcaktojnë një sërë parimesh praktike për bashkëpunimin ndërkombëtar në eksplorimin civil të hapësirës, veçanërisht në Hënë, Mars dhe më gjerë.
Nisma synon të promovojë eksplorimin paqësor të hapësirës, transparencën dhe koordinimin mes vendeve, si dhe zbatimin e standardeve të përgjegjshme gjatë misioneve hapësinore.
Marrëveshjet mbështeten në parimet e Traktatit për Hapësirën e Jashtme, Konventës për Regjistrimin e Objekteve të Lëshuara në Hapësirë dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për shpëtimin dhe kthimin e astronautëve.
Sipas NASA-s, Marrëveshjet Artemis synojnë të krijojnë një kuadër të përbashkët për vendet dhe kompanitë private që zhvillojnë misione dhe operacione rreth Hënës.
Anëtarësimi në Marrëveshjet Artemis e përfshin kështu Shqipërinë në një kuadër ndërkombëtar bashkëpunimi për eksplorimin dhe përdorimin civil të hapësirës.
Marrëveshjet Artemis u krijuan gjatë administratës së parë të presidentit amerikan Donald Trump, në vitin 2020, me drejtimin e NASA-s dhe Departamentit Amerikan të Shtetit.
