Aktuale

Trafik her*ine dhe kok*ine në Francë, dënohen dy shqiptarë të lidhur me rrjetin “Ronaldo”

Dy shtetas shqiptarë janë dënuar nga Gjykata Penale e Bourg-en-Bresse, në Francë, për përfshirje në një rrjet trafiku droge që vepronte në rajonin Haut-Bugey.

Sipas mediave franceze, hetimi nga policia gjyqësore e Oyonnax kishte nisur në muajin mars dhe ishte intensifikuar gjatë verës përmes survejimeve dhe vëzhgimeve në terren. Autoritetet dyshojnë se rrjeti përdorte një llogari në WhatsApp për të komunikuar me klientët, ndërsa takimet për shitjen e drogës zhvilloheshin në zona të pyllëzuara pranë komunave Echallon dhe Samognat.

Hetimi nisi pas një denoncimi anonim për një trafik droge që dyshohej se drejtohej nga shtetas shqiptarë. Sipas hetuesve, mënyra e funksionimit dhe paketimit të lëndëve narkotike ngjante me një rrjet të njohur më herët me emrin “Ronaldo”, duke ngritur dyshimet se aktiviteti mund të ishte riaktivizuar.

Arrestimi dhe sekuestrimi i drogës Një prej të dënuarve është Armando Rexhepi, 40 vjeç, i cili, sipas hetuesve, ishte identifikuar gjatë lëvizjeve të tij mes Oyonnax dhe pikave ku dyshohej se kryhej shpërndarja e drogës.

Në momentin e arrestimit, më 14 shtator, autoritetet i gjetën 38 qese me heroinë, me peshë totale 188 gramë, si dhe 12 doza kokaine, me peshë rreth 11 gramë.

Rexhepi u dënua me katër vjet burgim. Gjatë seancës, ai pranoi se kishte gabuar duke e përsëritur veprën, por deklaroi se ishte shfrytëzuar nga persona të tjerë dhe se kishte frikë nga hakmarrjet.

Në kuadër të të njëjtit operacion u arrestua edhe Enea Kica, 24 vjeç. Ai u ndalua pranë një apartamenti të marrë me qira, ku sipas autoriteteve u gjetën sasi të konsiderueshme droge dhe materiale që dyshohet se përdoreshin për paketimin e saj.

Në banesë u sekuestruan dy çanta me dhjetëra qese heroine, 8,080 euro cash, peshore precize, celofan dhe qese paketimi. Sipas hetuesve, në total u gjetën më shumë se 400 gramë heroinë të pastër, si dhe mbi dy kilogramë substanca për përzierje, të identifikuara si kafeinë dhe paracetamol.

Kica ka mohuar përfshirjen në trafik, duke deklaruar se kishte qëndruar vetëm disa ditë në apartament dhe nuk ishte në dijeni të aktivitetit që zhvillohej aty.

Gjykata e dënoi atë me tre vjet burgim dhe me ndalim të përhershëm për të qëndruar në territorin francez.

Të dy të dënuarit janë vendosur në paraburgim pas vendimit të gjykatës.

Të Ngjashme