Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të kërkojë ndërhyrje në disa zona të vendit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 16 janë shuar.
Vatrat ku po përqendrohen operacionet janë në Malin e Dajtit, Bardhaj të Shkodrës dhe në zonën e Fierit.
Në terren janë angazhuar qindra forca vendore, efektivë të Forcave të Armatosura, mjete zjarrfikëse dhe kapacitete ajrore.Për përballimin e situatës janë angazhuar në nivel kombëtar 735 forca vendore dhe 64 automjete zjarrfikëse.
Forcat e Armatosura kanë marrë pjesë në operacione me 475 efektivë, 7 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe një avion Air Tractor.
Për ditën e sotme është parashikuar angazhimi i 160 forcave ushtarake në zonat ku vijon ndërhyrja.
Në Malin e Dajtit, operacioni po zhvillohet me pjesëmarrjen e strukturave bashkiake, ndërsa janë angazhuar edhe 77 forca ushtarake dhe një helikopter.
Në Bardhaj të Shkodrës, në terren ndodhen 5 automjete zjarrfikëse, shërbimi pyjor dhe strukturat e emergjencave civile.Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionin me një automjet zjarrfikës dhe një helikopter, ndërsa sot ndërhyrjes i janë shtuar edhe 33 forca dhe një ambulancë.
Në Fier janë angazhuar 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë dhe 90 forca të tjera.
Në operacion marrin pjesë edhe 90 ushtarakë, një helikopter dhe një avion Air Tractor, ndërsa për ditën e sotme vijon mbështetja me 33 forca.
Ndërkohë, zjarri në Himarë është shuar pas një operacioni të gjerë.Për fikjen e tij u angazhuan 26 automjete zjarrfikëse, 120 efektivë, 40 vullnetarë, 67 forca bashkiake, 20 punonjës policie dhe 180 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy helikopterë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Forcat dhe kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave, pasurisë dhe mjedisit.
