Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës (ShSAJSh) ka shprehur shqetësimet e saj në lidhje me sistemimin dhe mos plotësimin e disa vendeve të punës në pozita udhëheqëse në Ministrinë e Punës së Jashtme dhe Diasporës.
Në reagimin e saj, shoqata tha se nga data 10 janar e vitit 2022 pozita e Sekretarit të Përgjithshëm është uzurpuar me “zëvendësues” e që sipas saj kjo është bërë në kundërshtim me të gjitha normat dhe liget në fuqi.
Megjithatë, shkeljet nuk përfundojnë vetëm me pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në MPJD.
Prej 13 departamenteve kyçe, 6 prej tyre nuk kanë drejtorë, ku disa prej tyre janë të një rëndësie të lartë për vendin, si: “Departamenti për Evropë, BE dhe Rajon”, “Departamenti për Amerika”, “Departamenti për NATO dhe Politika të Sigurisë”, “Departamenti për Diplomaci Publike”, “Protokolli i Shtetit”, “Departamenti për Çështje Ligjore dhe Traktate”, etj.
Për më tepër, në reagim thuhet se prej 31 divizioneve, 9 prej tyre nuk kanë udhëheqës, teksa me aplikimin e metodave të tilla, sipas ShSAShJ po shkelen parimet bazë të Kushtetutës së vendit.