Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka deklaruar se shteti i Kosovës nuk zmbrapset më, duke thënë se ligji dhe sovraniteti po zbatohen pa asnjë kompromis.
Ai përshëndeti përmbylljen e procesit të largimit të prokurorëve serbë nga institucionet e Kosovës, duke theksuar se ata që, sipas tij, i kthyen shpinën institucioneve për llogari të Beogradit nuk mund të rikthehen në sistemin e drejtësisë.
Postimi i tij:
Shteti nuk zmbrapset më! 🇽🇰
Sot u dhanë dy mesazhe të qarta se ligji dhe sovraniteti në Kosovë po zbatohen pa asnjë kompromis:
1. Përmbyllet largimi i prokurorëve serbë: Me dekretimin e dorëheqjeve të tyre nga u.d. Presidentja Albulena Haxhiu, mori fund përfundimisht kjo çështje. Nuk është më koha si në vitin 2018, kur kryetarët e komunave veriore jepnin dorëheqje e riktheheshin sërish në punë sipas tekeve apo udhëzimeve politike. Kush i kthen shpinën institucioneve të Kosovës për llogari të Beogradit, nuk ka më asnjë rrugë kthimi në sistemin tonë të drejtësisë.
2. Vendoset rendi në Ujman: Aksioni për rrënimin e 11 vilave të paligjshme te Liqeni i Ujmanit tregoi se askush nuk mund ta uzurpojë më pronën shtetërore e asetet tona strategjike. Toka e shtetit u kthehet qytetarëve!
Kthim prapa nuk ka. Kosova po konsolidohet çdo ditë e më shumë si shtet i së drejtës, ku sundon ligji e jo paudhësia!
Mbështetje e plotë për institucionet tona që mbrojnë pronën publike dhe sovranitetin e Republikës!
