Aktuale

Shuplakë nga Brukseli/ Raporti i KE “shkund” qeverinë: Mbrojtja e Belinda Ballukut nga Kuvendi dëmton shtetin ligjor! Puna e SPAK, pozitive!

Komisioni Europian ka publikuar raportin e ri për shtetin ligjor në Shqipëri, duke lëshuar kritika mjaft të ashpra dhe të drejtpërdrejta ndaj mazhorancës socialiste, veçanërisht për qëndrimin e mbajtur ndaj Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Ndonëse puna e SPAK-ut vlerësohet në tërësi pozitivisht, Brukseli zyrtar ngre alarmin për mbrojtjen politike që iu bë zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke bllokuar kërkesën për arrestimin e saj.

Në tërësi, puna e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion merr vlerësime pozitive, por ka ende për të bërë në koordinimin me organet ligjzbatuese.

“Pezullimi nga detyra i një zyrtari të lartë, i urdhëruar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në përputhje me dispozitat në fuqi të Kodit të Procedurës Penale, si edhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar të këtij zyrtari, shkaktuan reagime të forta negative nga pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ, përfshirë sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore. Institucionet drejtuese të sistemit gjyqësor lëshuan deklarata publike, duke dënuar presionin politik mbi gjyqësorin. Sipas standardeve evropiane, të gjitha pushtetet e shtetit duhet të nxisin dhe të mbrojnë besimin e publikut të gjerë te institucionet kushtetuese, përfshirë sistemin gjyqësor”, thekson raporti.

Refuzimi i heqjes së imunitetit të Ballukut vë në dyshim edhe punën e Kuvendit, sipas raportit. Gjithashtu, nënvizohen edhe shqetësime për “polarizimin politik” në Kuvend.

“Refuzimi i Kuvendit për të hequr imunitetin e një deputeti ka ngritur shqetësime në lidhje me respektimin e parimeve të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si edhe të barazisë përpara ligjit”, thuhet në raport.
Shqetësimet shfaqen edhe për nismën e socialistëve për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale lidhur me shtimin e funksionarëve që s’mund të pezullohen nga detyra si masë sigurimi paraprak.

“Këto ndryshime kanë ngritur shqetësime se mund të cenojnë efektivitetin e hetimeve penale, përfshirë hetimet për korrupsion në nivele të larta, ndërsa koha e paraqitjes së tyre mund të kontribuojë në krijimin e perceptimit të pandëshkueshmërisë”, vijon raporti.
Në çështjet e sigurisë brenda gjykatave, raporti përmend vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit. I shqetësuar për “papërshtatshmërinë e infrastrukturës së gjykatave”, shprehet se pavarësisht masave të ndërmarra nuk janë shënuar “përmirësime të dukshme në sigurinë e ambienteve të gjykatave, përfshirë funksionalizimin e detektorëve të metaleve dhe masave të tjera shoqëruese.”

Sipas raportit, cilësia e sistemit të drejtësisë, preket nga “mungesa e vazhdueshme e burimeve financiare dhe njerëzore, përfshirë magjistratët dhe stafin mbështetës ligjor dhe administrativ.”

Sfidë për gjykatat mbetet edhe stoku i dosjeve, për të cilin vihet re një lloj përmirësimi fare i lehtë.

“Kohëzgjatja e procedimeve dhe numri i çështjeve të prapambetura janë reduktuar në çështjet e gjykatave të shkallës së parë, si edhe në Gjykatën e Lartë, por kohëzgjatja e lartë e shqyrtimit të çështjeve dhe normat e ulëta të përfundimit të tyre vazhdojnë të mbeten problem në çështjet e apelit, ndërsa masat e mëtejshme për rritjen e efikasitetit ende nuk janë zbatuar plotësisht”, thotë raporti.
Policia e Shtetit dhe prokurimet publike ‘shenjohen’ nga rreziku i korrupsionit të lartë, vihet re në raport.

Rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të jenë të pranishme në Policinë e Shtetit, në prokurimet publike dhe në sektorët me rrezik të lartë, për të cilët Shqipëria aktualisht po zhvillon vlerësime të rrezikut.

Duke kaluar te mediat, raporti nënvizon shqetësime për pavarësinë e AMA-s duke renditur si shkak “procedurën e emërimit të anëtarëve të bordit dhe përkatësisë së tyre politike.”

Të Ngjashme