Aktuale

Si u ndryshua ligji për Zonat e Mbrojtura që i hapi rrugë ndërtimit në Zvërnec

Qindra qytetarë u bënë bashkë këtë të dielë në Ministrinë e Brendshme për të protestuar kundër ndërtimeve në bregdetin e Vlorës, pas asaj përplasjeje të turpshme që u pa në protestën e zhvilluar në Zvërnec. Në tubim u bë thirrje për ruajtjen e pasurive të përbashkëta, që po plaçkiten nga ndërtimet gjigande dhe që u përkasin pak njerëzve.

“Mjedisi që prej 2014 u kthye në një plaçkë për t’u shitur. Shoh me keqardhje që gjithcka që në të mjedisit kemi bërë për shumë vite, shpalljen e zonave të mbrojtura në të gjithë Shqipërinë, si Velipojën dhe Rrjollin, përfshirë Kune-Vainin, përfshirë Patokun, Ishmin, Divjakë-Karavastanë, Vjosë-Nartën, Butrintin, Orikumin duan të na i marrin dhe t’i shesin, por nuk kanë për të na i marrë. Ngjarja më e fundit në këtë strategji kundër natyrës dhe ka qenë ai ligji i turpshëm në vitin 2024, ligji për zonat e mbrojtura. Një skandal i bërë me hile, kur qeveria u fsheh pas një grupi deputetësh që nuk e dinin çfarë kishin shkruar. Kur Shqipëria u nda në atë ligj. U nda për t’u shitur. Ishte pikërisht ky ligj që kërkonin oligarkët. Oligarkët e medias, financave, që kontrollojnë politikën dhe gjithçka, por kjo që po shohim sot nuk është betejë vetëm për Zvërnecin, është një betejë pë të gjithë Shqipërinë. Shqipëria nuk shitet” tha një prej protestuesve, eksperti i mjedisit Taulant Bino.

Protestuesit u zhvendosën më pas përballë kryeministrisë, duke kërkuar tërheqjen e projektit në Zvërnec dhe ruajtjen e zonave të mbrojtura.Përplasja e fundit në Zvërnec, ku banorët protestuan kundër një projekti turistik dhe pretendimeve mbi pronat, nuk është një ngjarje e shkëputur. Ajo është pasoja më e dukshme e një vendimmarrjeje politike që nisi më herët në takimet private mes Edi Ramës dhe Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump dhe që vazhdoi më pas në Kuvendin e Shqipërisë, kur mazhoranca socialiste ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura, duke i hapur rrugë ndërtimeve turistike edhe në territore që deri atëherë mbroheshin nga ligji.

Në thelb, ndryshimi ligjor i miratuar në shkurt 2024 hoqi pengesën kryesore që ndalonte zhvillime të tilla në zona me status të veçantë mjedisor. Nisma u ndërmor nga një grup deputetësh anonimë të Partisë Socialiste që me gjasë as nuk e kishin idenë çfarë po firmosnin.

Deri para këtij ndryshimi, ligji për zonat e mbrojtura kufizonte aktivitetet brenda tyre vetëm në funksion të mbrojtjes, përmirësimit dhe administrimit të mjedisit. Por me amendimet e reja, në këto zona u lejua ndërtimi i strukturave akomoduese të nivelit të lartë, hotele me 5 yje ose më shumë, vila dhe infrastruktura mbështetëse, nëse projekti cilësohet si investim strategjik.

Pra, aty ku më parë ligji shërbente si mur mbrojtës për natyrën, pas votës së socialistëve u kthye në portë hyrëse për betonin, me kushtin elegant që betoni të quhet “turizëm elitar”.

Kryeministri Edi Rama e shmangu mbrojtjen e këtij ligji, ndërsa ish-ministja e turizmit, Mirela Kumbaro tha se nuk do të preket sipërfaqja e territoreve të zonave të mbrojtura dhe se nuk do të ketë ndarje të territoreve të zonave të mbrojtura me bashkitë. Sipas ministres Shqipëria kishte 17% të territorit të saj zonë të mbrojtur dhe kjo ishte shumë për vend të vogël si ky i joni.

“Dua të kujtoj që në 2021 Shqipëria kishte 17% të territorit zonë e mbrojtur. Nuk është kaq e lehtë që në një vend të vogël sa Shqipëria të kesh një 1/5 e territorit zona të Mbrojtura. Nuk do të preket sipërfaqja e territorit të zonave të Mbrojtura. Nuk do të ketë ndarje të territorit të zonave të mbrojtura me bashkitë do të vazhdojnë që të administrohen nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura. Duhet të ketë rregulla të qarta. Në këto territore jetojnë njerëz prej shekujsh. Amendimet që u miratuan sot japin rrugë për rregulla shumë të qarta. Pjesa tjetër e rëndësishme, vetëm në zonat e parashikuar për brenda kritereve shumë strikte do të jenë të mundura të zhvillohen me 3 -4 filtra disa ndërtime ekologjike dhe miqësore me mjedisin. E rëndësishme është të ruajmë lidhjen e njeriut me territorin. Tu japim mundësinë shqiptarëve që të jetojnë aty. Atje ku kërkojmë të bëjmë truizmin natyror duhet ofruar edhe shërbime që janë miqësore me mjedisin” tha Kumbaro.

Zona e Zvërnecit dhe e Nartës lidhet direkt me ndryshimin që iu bë ligjit. Kjo është një prej territoreve më të ndjeshme natyrore në bregdetin shqiptar. Ajo lidhet me lagunën, me ekosistemin bregdetar, me biodiversitetin dhe me një territor që prej vitesh është trajtuar si zonë me rëndësi të veçantë mjedisore. Por pikërisht në këtë zonë të Zvërnecit dhe në Sazan, sipas raportimeve fillestare të Bloomberg, Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, synonte të zhvillonte një projekt turistik me resorte, vila dhe kapacitete të mëdha akomoduese.

Në mars 2024, Bloomberg raportoi se kompania e Kushner, Affinity Partners, kishte plane për dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri: një në ishullin e Sazanit dhe një tjetër në zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës. Projekti për Zvërnecin u përshkrua si një zhvillim me resorte, vila dhe mijëra dhoma hoteli.

Vetëm pak javë para se ky lajm të bëhej publik, Kuvendi kishte miratuar ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Pa ndryshimin e ligjit, një projekt i tillë në një zonë të mbrojtur do të haste pengesa serioze ligjore. Pas ndryshimit, rruga u hap.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit argumentoi se projektet do të kalonin në filtra të fortë institucionalë dhe se do të lejoheshin vetëm investime të nivelit të lartë, në përputhje me kriteret mjedisore. Por kundërshtarët e ligjit, organizatat mjedisore dhe opozita e lexuan ndryshe: si legalizim paraprak të ndërtimeve private në pasuritë më të çmuara natyrore të vendit.

Edhe Bashkimi Europian ngriti shqetësim para miratimit të ligjit. Delegacioni i BE-së në Tiranë kërkoi rihapje të konsultimeve dhe paralajmëroi se ndryshimet për zonat e mbrojtura preknin fusha që lidhen drejtpërdrejt me legjislacionin europian për mjedisin. Në letrën drejtuar Kuvendit, ambasadori Silvio Gonzato theksonte se Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në BE, duhet t’i përafrojë politikat e saj mjedisore me standardet europiane dhe jo të krijojë hapësira për investime të mëdha turistike e industriale në zona të mbrojtura.

Pavarësisht këtij shqetësimi, Kuvendi e miratoi ligjin me shpejtësi. Ndryshimet kaluan me votat e mazhorancës socialiste, ndërsa opozita dhe organizatat mjedisore e denoncuan procesin si të nxituar, pa konsultim real dhe në shërbim të klientëve të qeverisë.

Më herët Rama i kishte përcjellë me ironi kundërshtimet për investimet në zonat e mbrojtura.

“Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveç se ushtarëve të Enver Hoxhës që vëzhgonin me dylbi zbarkimin e flotës së 7 amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Hija e ish-presidentit amerikan, i pengon ata më gojështhururit t’i bashkëngjiten këtyre zërave për mua, djali i paudhë që doli nga thesi i parave të Sorosit, me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit”, ka thënë Rama në një nga prononcimet e rralla për këtë çështje.

Sot, ajo që po ndodh në Zvërnec tregon se paralajmërimet nuk ishin teori. Ligji u ndryshua për të lejuar ndërtime në zona të mbrojtura dhe konflikti ka zbritur në terren, te pronat, te banorët, te policia, te rojet private, te rrethimet dhe te përplasjet fizike.

Në këtë kuptim, protesta e Zvërnecit sot nuk duhet parë si sherr banal i gorillave që ruajnë pronën private dhe as si pazari i radhës mes Ramës dhe oligarkut të tij të preferuar.

Përplasja është me një koncept qeverisjeje, që po e çon në ekstrem ndarjen mes të pasurve dhe të varfërve. Për të parët, duke qenë shtresa e privilegjuar e këtij sistemi po krijohen resorte gjigande, atje ku është ajri i pastër, bregdeti i virgjër dhe shërbimet ekskluzive.

Të Ngjashme