Lajme

Sinani: Vizita e Begajt në Preshevë, mesazh i fuqishëm i mbështetjes

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka deklaruar se vizita e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në Luginën e Preshevës është një dëshmi e vëmendjes së vazhdueshme institucionale të Shqipërisë ndaj shqiptarëve të kësaj treve.

Përmes një postimi në Facebook, Sinani tha se pati nderin të mirëpresë presidentin Begaj në një takim, të cilin e cilësoi vëllazëror, duke theksuar se vizita ishte në funksion të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Preshevës dhe Republikës së Shqipërisë.

“Fillimisht, në emër të të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e falënderova edhe një herë Presidentin Begaj për ngritjen e çështjes së Luginës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, ka shkruar Sinani.

Ajo rikujtoi se në fjalimin e tij në OKB, presidenti Begaj kishte kërkuar respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Vizitën e sotme të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nuk mund ta shohim vetëm si një vizitë zyrtare. Ajo është një mesazh i fuqishëm se Presheva, e në përgjithësi Lugina e Preshevës, janë pjesë e pandashme e botës shqiptare dhe se ky rajon mbetet në vëmendjen e vazhdueshme kombëtare dhe institucionale të Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar Sinani.

Sipas saj, gjatë takimit me Begajn u diskutua për sfidat me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndërsa një nga temat kryesore ishte pasivizimi selektiv i adresave.

Sinani tha se është diskutuar edhe mungesa e investimeve shtetërore në infrastrukturë, veçanërisht në arsim, duke veçuar gjendjen e Shkollës Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë.

“Kërkova nga Presidenti Begaj që, përmes autoritetit të Tij, të vazhdojë avokimin pranë institucioneve ndërkombëtare dhe autoriteteve në Beograd, në mënyrë që kjo shkollë të mos mbetet më në harresë e neglizhencë, por të marrë vëmendjen që meriton”, ka shkruar kryetarja e Preshevës.

Ajo bëri të ditur se në takim ka ngritur edhe shqetësimet e të rinjve shqiptarë lidhur me diskutimet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, duke thënë se ky zhvillim po krijon ndjenjë pasigurie te qytetarët e Luginës.

Në fund, Sinani falënderoi presidentin Begaj për vizitën dhe mbështetjen e tij, duke theksuar se komunikimi dhe bashkëpunimi për çështjet me interes për shqiptarët e Luginës së Preshevës do të vazhdojë.

“Kjo vizitë nuk është fundi i një etape, por një hap i ri në forcimin e lidhjeve tona ndërinstitucionale dhe një dëshmi se Presheva dhe Lugina e Preshevës nuk janë vetëm pjesë e hartës shqiptare, por edhe pjesë e pandashme e kujdesit, përgjegjësisë dhe vëmendjes sonë të përbashkët kombëtare”, ka përfunduar Sinani.

Të Ngjashme