Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas vdekjes tragjike të zyrtarit policor Rexhep Gashi, i cili humbi jetën në orët e hershme të së hënës në një aksident trafiku pranë pikë-kalimit kufitar në Vërmicë, teksa ishte në kryerje të detyrës.
Përmes një telegrami ngushëllimi, Sindikata u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Me rastin e ndarjes nga jeta të zyrtarit policor Rexhep Gashi, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, Sindikata e Policisë së Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, thuhet në telegramin e Sindikatës.
Sipas detajeve të bëra publike nga Policia e Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:30 të mëngjesit të 29 qershorit. Zyrtari policor Rexhep Gashi, 59 vjeç, ishte duke patrulluar në këmbë pranë pikë-kalimit kufitar në Vërmicë, kur në një moment tentoi të kalonte rrugën. Në atë çast, ai u godit nga një automjet që po lëvizte në drejtimin Prizren–Vërmicë.
Policia ka bërë të ditur se si pasojë e goditjes, Gashi ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa drejtuesi i automjetit, D.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit. Rasti po hetohet nga Prokuroria Themelore në Prizren.
