Gjatë ditës së sotme Sindikata e re e KEK-ut do të mbajë aksion simbolik para zyreve të KEK-ut në Prishtinë.
Sipas njoftimit nga kjo sindikatë aksioni simbolik do të mbahet në ora 11:00.
Po ashtu Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka paralajmëruar protestë të punëtorëve në tri divizionet e KEK-ut, pas shqetësimeve për kushtet e punës dhe sigurinë e punëtorëve.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kryesisë të ditën e djeshme ka bërë të ditur se protesta do të mbahet të mërkurën në ora 08:00.
“Si kryesi morëm vendim që të mërkurën në ora 08:00 të mëngjesit të shprehim pakënaqësinë tonë në tri divizione. Pra të mërkurën në ora 08:00 Sindikata e Re e KEK-ut së bashku me të gjithë punëtorët në tri divizione do të protestojë dhe do të solidarizohet me familjet e punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës.”- deklaroi Jashari.
Sipas Jasharit, në mbledhje është diskutuar për kushtet e punës dhe sigurinë e punëtorëve, përfshirë mungesën e pajisjeve mbrojtëse.
“Sot është diskutuar gjerë e gjatë për kushtet e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe është vlerësuar duke konstatuar se kushtet janë jashtëzakonisht të vështira në punë, por edhe siguria e punëtorëve dhe pajisjet mbrojtëse janë mungesë jashtëzakonisht e madhe në Korporatën Energjetike të Kosovës.”- u shpreh ai.
