Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Situata në veri, kërkohet të merren parasysh thirrjet e aleatëve për depërshkallëzim

 
   

Përfshirja direkte e sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken për situatën në veri dhe lirimi i tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe po shihet si mundësi e mirë për depërshkallëzimin e situatës në veri. Në Partinë Demokratike të Kosovës dhe njohës të procesit të dialogut theksojnë nevojën që në kuadër të kërkesave të aleatëve ndërkombëtar të gjendet një rrugëzgjidhje për krizën në veri të Kosovës. Mirëpo në partinë në pushet, Lëvizjen Vetëvendosje, theksojnë se fillimisht është i nevojshëm sundimi i ligjit në veri, pastaj edhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, thotë për KosovaPress se Qeveria e Kosovës duhet t’i dëgjojë kërkesat e aleatëve ndërkombëtar për shtensionimin e situatës në veri.

Ai kritikon kryeministrin Albin Kurti se përmes siç i quan aventurave të tij në veri po e dëmton Kosovën.

Beqa: Është i domosdoshëm shtensionimi i situatës në veri

Në koordinim me partnerët ndërkombëtar, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i bëjë edhe veprimet të tjera. Ne i kemi pa disa aventura të qeverisë aktuale në të kaluarën që na kanë sjell në këtë situatë. Kryeministri duhet të jetë më serioz në raport me Serbinë dhe nuk duhet të hyjë në aventura që realisht po na dëmtojnë pozitën tonë në raport me faktorin ndërkombëtar…Mendoj se është e domosdoshme shtensionimi i situatës në veri të vendit. Faktori vendor dhe ai ndërkombëtar duhet të jenë unik në raport me këto kërkesa”, thotë ai.

Nevojën për depërshkallëzim të situatës në veri e thekson edhe njohësi i procesit të dialogut, Visar Xani.

Ai thotë për KosovaPress se institucionet vendore duhet të shfrytëzojnë përfshirjen e sekretarit Blinken për depërshkallëzimin e situatës në veri, si mundësi për rikthimin e mbështetjes amerikane.

Xani: Për Kosovën është me rëndësi që të gjendet një rrugëzgjidhje për situatën në veri

Është një interesim amerikan dhe është një gatishmëri amerikane që edhe më tutje të vazhdohet procesi i koordinimit dhe marrëdhëniet me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Për Kosovën është me rëndësi që të gjendet një rrugëzgjidhje për bllokadën që kemi. T’i jepet një përgjigje masave evropiane dhe faktorit ndërkombëtar karshi Kosovës, në mënyrë që të gjendet një rrugë që përmirëson imazhin e Kosovës, rikthej marrëdhëniet e mira për Kosovën të kthehet normaliteti në dialogim. Çdo dështim për t’i arritur këto objektiva është dështim për Kosovën dhe është një rrezik për të ardhmen e saj”, thekson Xani.

Por, në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress se në kuadër të planit tre pikësh të BE-së për depërshkallëzim të veriut, dy nga kërkesat janë të Serbisë.

Sipas tij, Kosova ka pranuar kërkesën për zgjedhje të reja në veri, por gjithmonë në kuadër të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Ai thekson se para se gjithash duhet të ketë sundim të ligjit në veri dhe largimin e grupeve kriminale para objekteve të komunave në veri.

Rrustemi: Kosova është e interesuar për depërshkallëzim të situatës në veri

Kosova është e interesuar për depërshkallëzim të situatës dhe për normalizim të qëndrueshëm të gjendjes në veri, por edhe të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, mbi bazën e parimit të fqinjësisë së mirë dhe njohjes reciproke. Por megjithatë, deeskalimi nënkupton largimin e grupeve kriminale që po qëndrojnë para objekteve të komunave që sulmojnë ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët. Kosova ka shprehur gatishmërinë që në një proces tërësisht legjislativ dhe kushtetues të kemi zgjedhje të parakohshme sa më parë që është e mundur për kryetarët e këtyre komunave…Në anën tjetër nga këto tri kërkesa, një kërkesë është origjinale e bashkësisë ndërkombëtare, e ajo është zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të komunave me të cilat Kosova është pajtuar. Dy të tjerat, largimi i kryetarëve të zgjedhur, largimi i policisë janë kërkesa të Serbisë. Madje vet këto grupe kriminale i kanë artikuluar në aktet e tyre të dhunshme. Zgjedhjet e parakohshme mendojmë se duhet të vijnë krahas sundimit të ligjit dhe vendosjes para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë ushtruar dhunë dhe akte kriminale. Po ashtu edhe krijimit të një mjedisi për zgjedhje të ndershme dhe demokratike”, deklaron Rrustemi.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken të hënën telefonuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ku ka theksuar nevojën për depërshkallëzim të situatës në veri.

Të njëjtën ditë janë liruar në procedurë të rregullt edhe tre policët që janë rrëmbyer nga forcat serbe, pas 13 ditë qëndrimi në paraburgim.

Gjatë këtyre ditëve thirrje për zgjidhje të situatës në veri kanë bërë thirrje edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell.

Në kuadër të planit tre pikësh të Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës në veri janë që kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore të punojnë në objekte alternative, njësitet speciale të Policisë së Kosovës të largohen objektet komunale dhe të organizohen zgjedhjet e reja./