Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“S’jemi vend komunist”, debati për rreziqet nga rrjetet sociale bëhet ‘mollë sherri’ në studion televizive: Pasoja të mëdha për bullizëm, dhe gjuhë urrejtje

Të ftuar në një emision televiziv, ka pasur debate mes panelit në studio, nëse duhet mbyllur apo jo TikTok-u, i cili kohët e fundit është bërë shënjestër në lidhje me disa ngjarje të rënda që kanë ndodhur në vendin tonë. Eksperti, Ervin Karamuço ka qenë i prerë duke kërkuar mbylljen për një periudhë kohe të TikTok-ut, deri sa shtetit të ketë mundësi të forcojë bazën ligjore dhe të bëjë rregullimet në këtë platformë. I të njëjtit mendim ka qenë edhe eksperti, Mirgit Vataj, sipas të cilit, nuk ka asnjë kontroll nga pikëpamja ligjore dhe teknike. Ndërsa aktivisti, Altin Hazizaj ka kundërshtuar sepse, sipas tij, edhe TikTok është një medium dhe se nuk jemi në një sistem komunist.

“TikTok-u ka vrarë 2 fëmijë, ka qenë platformë që ofronin para false, ka ngritur shqetësim edhe tek anglezët se ishte kthyer platformë trafikimi. Duhet mbyllur TikTok-u. Në kushtet kur ne nuk kemi burime kontrolli duhen mbyllur. Ministri Balla flet për siguri rreth shkollave, por problemet janë në celularët brenda shkollave. Sa herë ndodh një ngjarje thuhet se do merren masa ligjore. Nuk bëhet asgjë. Nuk them mbyllje në rang botëror, por në Shqipëri. S’kemi legjislacion e mundësi për ta monitoruar. Duhet masa drastike deri moratorium. Po provokon kriminalitet TikTok-u.”, tha Karamuçaj.

Por eksperti i teknologjisë, Besmir Semanaj u shpreh kundër mbylljes.

“Është problem mungesa e legjislacionit. TikToku është e katra platformë ose e pesta sa i përket bullizimit. I pari është Facebook. Personi ka bërë thirrje terroriste dhe asgjë nuk ka ndodhur. Edhe nëse e mbyllin do përdoren rrjete të tjera.”, tha Semanaj.

Ndërsa eksperti, Mirgit Vataj bëri të ditur se TikTok-u në Shqipëri është i pari që frekuentohet.

“Ai është krijuar që të krijojë varësi. Është e vështirë të gjesh kush e përdor. TikTok-u ka sjellë pasoja të mëdha për bullizëm, gjuhë urrejtjes. Fjalët fyese e tjera nuk janë rregulluar. Është një armë pa leje për të dëmtuar personat e tjerë. Prekin sigurinë. Italia e mbylli dhe e rregulloi me ligj”, tha Vataj.

Ndërsa aktivisti, Altin Hazizaj tha se s’ka shumë diferenca mes TikTok-ut dhe platformave të tjera sa i përket bullizimit.

“Mos e vrit lajmësin. Të thuash të mbyllim TikTok-un është si të thuash se pa një film me dhunë e vrau gruan. Janë mediume siç është radio e televizoni. Ka të bëjë me faktin se nëse hidhen gjëra të këqija, fajtor janë ata që e shohin. Fajin e kanë njerëzit që shohin. Një shtet komunist ka tendanca mbyllje. Jam kundër, nuk jemi në komunizëm”, tha Hazizaj.