Lajme

IKSHPK-ja u bën thirrje qytetarëve të mos konsumojnë një seri të qumështit VITA, analizat konfirmojnë aflatoksinë mbi kufirin e lejuar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për të mos konsumuar një seri të qumështit VITA UHT 3.2 për qind yndyrë.

Përmes një njoftimi të publikuar më 17 nëntor, IKSHPK ka rikujtuar se produkti përkatës është tërhequr nga tregu, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e aflatoksinës M1 mbi nivelin maksimal të lejuar.

Bëhet fjalë për qumështin VITA UHT me 3.2 për qind yndyrë, të prodhuar nga ABRAZEN SH.P.K., në paketim prej një litri, me datë prodhimi 18 korrik 2026 dhe afat përdorimi deri më 18 janar 2027.

Sipas rezultateve të publikuara nga AUV-ja, analizat laboratorike të kryera në Austri kanë konstatuar përqendrim të aflatoksinës M1 prej 0.065 mikrogramë për kilogram, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 0.050 mikrogramë për kilogram.

IKSHPK ka theksuar se aflatoksina M1 është substancë toksike dhe se ekspozimi i vazhdueshëm dhe afatgjatë ndaj saj mund të paraqesë rrezik për shëndetin, veçanërisht për shkak të efekteve të mundshme në mëlçi.

Në fund, Instituti ka bërë thirrje që qytetarët të ndjekin rekomandimet e institucioneve përgjegjëse, duke ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e shëndetit publik.

Të Ngjashme