Lajme

ShBA humb statusin e vendit pa fruth – virusi rikthehet pas më shumë se 26 vjetësh

Pas më shumë se 26 vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë humbur statusin e vendit që e kishte eliminuar fruthin, pasi gati për dy vjet po shënon numër rekord të rasteve të infektimit dhe vdekjeve nga kjo sëmundje.

Organizata Panamerikane e Shëndetësisë (PAHO), një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara, ka përcaktuar se në ShBA ka pasur transmetim të pandërprerë të të njëjtit lloj të virusit të fruthit për më shumë se 12 muaj.

Sipas BBC-së, shtetet amerikane kanë raportuar 10 vdekje të lidhura me fruthin këtë vit, numri më i lartë që nga vitet 1990.

Sipas të dhënave, vetëm gjatë këtij viti, në ShBA janë regjistruar 5,400 raste të fruthit, numri më i lartë i shënuar brenda një viti që nga viti 1991.

Dr. Jarbas Barbosa, drejtor i PAHO-s, njoftoi se edhe Meksika dhe Bolivia kanë humbur statusin e tyre si vende që e kanë eliminuar fruthin. Ai ia atribuoi rikthimin e fruthit në rajon mos-vaksinimit të vazhdueshëm.

“Këto shifra janë një paralajmërim serioz për rajonin tonë”, tha Barbosa gjatë një konference për shtyp të martën.

Ai shtoi se Kanadaja, e cila humbi statusin e eliminimit të fruthit vitin e kaluar pas disa shpërthimeve të mëdha, ka bërë përparim këtë vit në ndërprerjen e transmetimit të virusit.

Daniel Salas, drejtor ekzekutiv i imunizimit në PAHO, tha të martën se ShBA-ja dhe vendet e tjera që kanë humbur statusin e eliminimit të fruthit do të duhet të dorëzojnë plane veprimi korrigjuese, ku do të përshkruajnë masat që synojnë të ndërmarrin për të përmirësuar normat e vaksinimit.

Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Austria ishin ndër vendet evropiane që humbën statusin e vendeve ku fruthi konsiderohej i eliminuar në fillim të këtij viti, së bashku me vende të tjera si Rusia, Azerbajxhani dhe Uzbekistani.

Të Ngjashme