Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, ku është takuar me koordinatorin e kësaj zyre, Burhan Maxhuni.
Gjatë takimit, sipas Gërvallës, është diskutuar për punën, përgjegjësitë dhe funksionimin e këtij mekanizmi, i cili vepron në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Përmes një postimi, ministrja ka theksuar rëndësinë e kësaj zyre në garantimin e të drejtave të viktimave të krimit, duke bërë të ditur se përmes Mbrojtësve të Viktimave ofrohet përfaqësim dhe mbështetje gjatë procedurave në prokurori dhe gjykata.
Ajo ka përmendur gjithashtu informimin për të drejtat ligjore dhe orientimin drejt shërbimeve të nevojshme për mbrojtje dhe ndihmë.
Gërvalla ka theksuar se mbrojtja e viktimave është detyrim i shtetit dhe se dhuna nuk duhet të tolerohet.
“Për dhunën nuk ka justifikim, për kryerësit nuk ka amnisti dhe për shkeljen e të drejtave të viktimave nuk ka tolerancë. Ligji duhet të veprojë, drejtësia duhet të triumfojë dhe përgjegjësia duhet të jetë e pashmangshme”, ka shkruar ajo.
Në kuadër të këtij reagimi, ministrja ka rikujtuar edhe funksionimin e Linjës Ndihmëse 0800 11112, përmes së cilës viktimat dhe qytetarët mund të kërkojnë ndihmë, të raportojnë raste të abuzimit dhe të informohen për të drejtat dhe mekanizmat e mbrojtjes.
Gërvalla u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos heshtin përballë dhunës, por ta raportojnë atë dhe të kërkojnë ndihmë.
Ajo ka theksuar se linja është pa pagesë dhe ofron shërbim konfidencial.
