Gjykata e Lartë ka vendosur këtë të mërkurë të lërë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO-së për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij, duke vulosur përfundimisht dënimet ndaj të akuzuarve për “gjobëvënie” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Genti Shala dhe Enton Dhimitri, të cilët kanë rrëzuar rekurset dhe kanë konfirmuar dënimet e dhëna në vitin 2021 nga Apeli i Posaçëm. Togat e zeza lanë në fuqi dënimin me 14 vite burg për Emiljano Shullazin, ndërsa Endrit Qyqja dhe Endrit Zela do të vuajnë nga 10 vite burg secili.
Për Blerim Shullazin u konfirmua dënimi me 9 vite heqje lirie. Sa i përket Gilmando Danit, Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit për shkak se ai ka ndërruar jetë. Dani ishte dënuar më herët me 12 vite burg, por ishte liruar nga qelia përpara se të mbetej viktimë e një atentati mafioz në nëntor të vitit 2025, pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku humbi jetën së bashku me mikun e tij, efektivin e AMP-së, Mustafa Sheqeri.
Dosja në fjalë lidhet me akuzat për gjobëvënie dhe aktivitet në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, për të cilat Shullazi dhe bashkëpunëtorët e tij ishin shpallur fajtorë prej disa vitesh nga drejtësia e posaçme. Ndërkohë, Emiljano Shullazi vijon të qëndrojë në qeli edhe për dy çështje të tjera të SPAK. Njëra prej tyre lidhet me operacionin “Asgjë nuk harrohet”, që ka të bëjë me vrasjet e vitit 2005 të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut. Ndërsa në dosjen “Revanshi”, prokuroria ka kërkuar 10 vite burg me gjykim të shkurtuar ndaj tij, për akuzën e sigurimit të kushteve për të kryer vrasje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
