Aktuale

SKANDAL/ Për të mbrojtur veten, Spitali i Durrësit ekspozon pacientin. Publikon se është me HIV dhe përdorues heroine

Një denoncim publik për trajtimin e një pacienti në Spitalin Rajonal të Durrësit është shndërruar në një skandal me përmasa të mëdha, pasi përveç akuzave për braktisje të një qytetari në gjendje të rëndë, institucioni shëndetësor është vënë në qendër të kritikave edhe për publikimin e të dhënave konfidenciale mjekësore të pacientit.

Rasti ka nxitur reagime të forta, ndërsa ngre pikëpyetje jo vetëm mbi mënyrën e trajtimit të pacientëve, por edhe mbi respektimin e të drejtave themelore dhe etikës profesionale nga institucionet publike.

Denoncimi: Pacienti u la në Portin e Peshkimit
Gazetari Osman Stafa publikoi një video në rrjetet sociale, ku akuzon Spitalin Rajonal të Durrësit dhe Ministrinë e Shëndetësisë se kanë gënjyer opinionin publik lidhur me rastin e një 52-vjeçari, të identifikuar me inicialet A.A., i njohur si “Tani”.

Sipas Stafës, pacienti u transportua me ambulancë dhe u la në ambientet e Portit të Peshkimit në Durrës, ku qëndroi për një natë dhe një ditë, pa iu dorëzuar familjarëve, ndryshe nga sa pretendohej në deklaratat zyrtare.

“Spitali i Durrësit dhe Ministria e Shëndetësisë gënjejnë kur thonë se e lanë te një familjar. E lanë brenda portit, ku nuk ka familjarë, shtëpi apo njerëz që jetojnë”, deklaroi gazetari.

Sipas tij, pacienti kishte qenë më parë i shtruar në një spital në Tiranë, ku pritej t’i vendosej një protezë, përpara se të transferohej në Durrës. Dy ditë më parë, pretendon Stafa, ai u dërgua me ambulancë në Portin e Durrësit, ku dyshohet se u braktis.

Gazetari shtoi se fillimisht kishte qarkulluar informacioni se qytetari kishte humbur jetën, por dëshmitarë të pranishëm pohuan se ai ishte ende gjallë. Sipas tij, gjatë ditës së sotme pacientit iu amputua një këmbë.

NEWS  “Kanë ndryshuar fashat e pagave”, reagojnë Tatimet: Ja sa bëhet rroga minimale dhe ajo maksimaleReagimi i spitalit
Pas publikimit të denoncimit, Spitali Rajonal i Durrësit reagoi duke mohuar lajmin se pacienti kishte ndërruar jetë.

Në reagimin e tyre zyrtar të bërë ditën e sotme, spitali i qytetit bregdetar hedh poshtë pretendimet se pacientit nuk i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore.

Madje, nxirret në pah se pas një ndërhyrjeje të bërë në QSUT, Spitali i Durrësit ka trajtuar për disa javë pacientin e tij.

Reagimi i plotë i Spitalit Rajonal të Durrësit:

Në lidhje me lajmin e publikuar në media, sipas të cilit një pacient i trajtuar më parë në Spitalin Rajonal Durrës ka ndërruar jetë, sqarojmë se ky informacion nuk është i vërtetë.

Pacienti është paraqitur sërish ditën e djeshme në Shërbimin e Urgjencës të Spitalit Rajonal Durrës, ku vijon të qëndrojë nën kujdesin dhe vlerësimin e personelit mjekësor.

Për informimin e plotë të opinionit publik bëjmë me dije se pacienti ishte trajtuar më parë në QSUT, ku i ishte kryer një ndërhyrje nga mjekët kirurgë vaskularë në enët e gjakut të këmbës së majtë. Pas komunikimit ndërmjet mjekëve, ai u shtrua në Spitalin Rajonal Durrës, ku qëndroi dhe u trajtua për disa javë, duke marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor në përputhje me gjendjen e tij shëndetësore.

Pas stabilizimit të parametrave klinikë dhe përfundimit të trajtimit spitalor, pacientit iu përgatit epikriza dhe iu komunikua dalja nga spitali. Duke qenë se ai deklaroi se nuk kishte një vend ku të qëndronte, strukturat e spitalit njoftuan shërbimin social dhe organet e Policisë së Shtetit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të sigurt sociale dhe familjare.

NEWS  Arrestohen tre studentë shqiptarë në protestën për gjuhën shqipe në ShkupPas komunikimeve të kryera nga strukturat përkatëse, një familjar deklaroi se do ta merrte pranë banesës së tij. Pacienti u transportua me autoambulancë deri në destinacion, i shoqëruar nga punonjës të Policisë së Shtetit, dhe iu dorëzua familjarit.

Për rrjedhojë, sqarojmë se pacienti nuk është nxjerrë apo braktisur në rrugë nga Spitali Rajonal Durrës, siç pretendohet në publikim. Dalja e tij nga spitali është kryer pas përfundimit të trajtimit, me dokumentacionin përkatës mjekësor dhe pas koordinimit me strukturat sociale, policore dhe familjare.

Spitali Rajonal Durrës u bën thirrje mediave që, veçanërisht në raste kaq të ndjeshme, informacioni të verifikohet pranë institucioneve përkatëse përpara publikimit.

Institucioni ynë mbetet i angazhuar për ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe për bashkëpunimin me çdo autoritet kompetent, duke respektuar konfidencialitetin e të dhënave shëndetësore dhe dinjitetin e pacientit.

Skandali i dytë: Publikohen të dhënat konfidenciale të pacientit
Pikërisht në përpjekje për të kundërshtuar raportimet mediatike, Spitali Rajonal i Durrësit bëri publike informacione tepër sensitive mbi gjendjen shëndetësore të pacientit.

Në deklaratën zyrtare u zbulua se 52-vjeçari është mbartës i virusit HIV, përdorues heroine, pjesë e programit të metadonit, si dhe u ngritën dyshime se kishte konsumuar lëndë narkotike përpara rikthimit në spital.

Bëhet fjalë për të dhëna që mbrohen nga legjislacioni mbi sekretin mjekësor dhe marrëdhënien mjek-pacient, të cilat nuk ishin të domosdoshme për të sqaruar faktin e vetëm që pacienti ishte gjallë.

Fjala e mjekut:

Gjendja e pacientit është shumë e mirë, pas interventit që ka bërë sot rreth orës 2 të pasdites deri nga ora katër. Pavarësisht llojit të operacionit, ka pasur një dekurs të mirë post operator. Gjendja e të sëmurit, jo vetëm që është gjallë po është në parametra të mirë. Momentalisht është zgjuar. Po qëndron në dhomën e terapisë intensive, aty ku rrinë gjithë të sëmurët që kryejnë një operacion.

NEWS  Dënohen çunat kuksian të Liverpulit, kokaina iu vinte me avion nga Meksika (EMRAT)Ai është operuar për një defasirizim të anësisë së majtë. Indikacionet për intervent përcaktohen nga QSUT sepse është detyrë e tyre. Është operuar për herë të parë në QSUT. e kemi dërguar për një kontroll për të treguat taktikën operatore sepse është detyra e tyre. dhe e drejta e tyre. Sipas këshillës së tyre është operuar këtu te ne.

Operacioni nuk ishte i lehtë. Mendoj se operacioni u realizua shumë mirë sepse u realizua nga një staf me eksperiencë për më shumë se 30 vite. I sëmuri do të qëndrojë nën observim për një periudhë më të gjatë kohore, për shkak të sëmundjes që e ka prekur.

Pikëpyetje mbi etikën dhe ligjin
Publikimi i diagnozave dhe historikut shëndetësor të një pacienti ka ngritur shqetësime serioze mbi respektimin e etikës profesionale dhe të drejtës për privatësi.

Edhe nëse raportimet mediatike rezultojnë të pasakta apo të paplota, kjo nuk e përjashton detyrimin e institucioneve shëndetësore për të ruajtur konfidencialitetin e pacientëve.

Një pacient, pavarësisht gjendjes shëndetësore, varësive apo statusit social, gëzon të drejtën që të dhënat e tij mjekësore të mos ekspozohen publikisht për t’iu përgjigjur kritikave apo debateve mediatike.

Ngjarja tashmë ngre pyetje serioze mbi përgjegjësinë profesionale dhe ligjore të personave që autorizuan publikimin e këtyre informacioneve, ndërsa pritet nëse organet kompetente dhe autoritetet përgjegjëse do të shqyrtojnë jo vetëm trajtimin e pacientit, por edhe shkeljen e mundshme të sekretit mjekësor.

Të Ngjashme