Aktuale

Skandali që tronditi Tiranën: zbulohet mekanizmi që solli ekspozimin e videove erotike nga kamera e Adi Hilës

Nuk përjashtohet mundësia që publikimi i këtyre videove të ketë shërbyer si një lloj prove terreni, për të mësuar opinionin me idenë e materialeve intime të dala nga kamera private dhe për të ulur efektin tronditës të një vale tjetër që mund të vijë me protagonist persona me pushtet…

Videot intime që kanë shpërthyer në rrjet gjatë ditëve të fundit nuk rezultojnë të jenë siguruar duke marrë fizikisht një hard disk, një telefon apo një pajisje regjistrimi nga ambienti ku janë filmuar. Sipas të dhënave, porta e hyrjes ka qenë vetë sistemi i kamerave, i lidhur me internetin përmes Wi-Fi dhe me mundësi aksesi në distancë.

Burimet bëjnë me dije se pajisja është identifikuar përmes mjeteve që skanojnë dhe indeksojnë pajisjet e ekspozuara në internet, ndër to platforma të tipit Shodan. Këto platforma nuk hyjnë vetë në kamera dhe nuk thyejnë sistemet, por mund të tregojnë se një pajisje, një portë administrimi apo një shërbim i caktuar është i arritshëm nga interneti. Pikërisht këtu ka nisur edhe komprometimi i sistemit.

Pas identifikimit të kamerës dhe ndërfaqes së saj të aksesit në distancë, sipas burimeve, janë komprometuar kredencialet e hyrjes. Në këtë mënyrë është siguruar akses në sistemin e kamerave dhe në materialet që ai kishte ruajtur. Pra, personi që ka marrë videot nuk ka pasur nevojë të hyjë fizikisht në ambient, pasi regjistrimet mund të aksesoheshin nga jashtë përmes lidhjes së pajisjes me internetin.

Kjo është edhe hallka që ndryshon tërësisht natyrën e skandalit. Nuk kemi thjesht disa video private që kanë kaluar dorë më dorë, por të dhënat flasin për një arkiv dixhital të siguruar pas hakerimit të një sistemi kamerash. Vetëm pasi materialet janë marrë nga sistemi, ato kanë kaluar në hallkën e dytë, shpërndarjen te persona të tjerë dhe më pas publikimin në rrjete sociale e platforma të ndryshme.

Hetimi duhet të përcaktojë tashmë dy përgjegjësi të ndryshme. E para lidhet me personin ose personat që kanë hyrë pa autorizim në sistem dhe kanë marrë regjistrimet. E dyta lidhet me zinxhirin përmes të cilit videot kanë kaluar nga duart e autorëve të ndërhyrjes deri te personat që i kanë shpërndarë publikisht.

Gjurmët dixhitale mund të jenë vendimtare. Sistemi i kamerave, llogaritë e përdorura për administrimin e tij dhe infrastruktura e aksesit në distancë mund të tregojnë hyrjet e kryera, adresat IP, oraret dhe pajisjet nga të cilat është aksesuar sistemi. Po aq e rëndësishme është të përcaktohet se kur është bërë shkarkimi i parë i materialeve dhe sa kohë përpara shpërthimit publik të skandalit ato kanë qenë në duart e personave të tretë.

Kjo e çon hetimin përtej emrave të personazheve që shfaqen në video. Pyetja kryesore është kush e gjeti kamerën e ekspozuar në internet, kush komprometoi aksesin e saj, kush mori arkivin dhe kujt ia dorëzoi më pas materialet.

Pikërisht mënyra si shpërtheu ky skandal dhe shpejtësia me të cilën materialet u hodhën në qarkullim hapin edhe një pistë tjetër, shumë më të rëndë. Nuk përjashtohet mundësia që publikimi i këtyre videove të ketë shërbyer si një lloj prove terreni, për të mësuar opinionin me idenë e materialeve intime të dala nga kamera private dhe për të ulur efektin tronditës të një vale tjetër që mund të vijë më pas.

Sipas informacioneve që qarkullojnë në qarqe të ngushta dhe që mbeten për t’u verifikuar, ekzistojnë edhe materiale të tjera ku përfshihen nivele shumë të larta shtetërore dhe persona apo subjekte që lidhen me hetime të SPAK-ut. Nëse kjo pistë rezulton e vërtetë, skandali i tanishëm mund të mos jetë fundi i historisë, por vetëm faza e parë e saj. /Pamfleti

Të Ngjashme