Lajme

Sot Kurban Bajrami, mijëra besimtarë falën namazin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë

Një prej dy festave më të rëndësishme të kalendarit islam, Kurban Bajrami është festuar sot nga besimtarë myslimanë.

Mijëra besimtarë u mblodhën në orët e para të mëngjesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për faljen e namazit të Kurban Bajramit, por edhe në xhamitë e tjera të vendit. Po ashtu, mijëra besimtarë në të gjitha qytetet e vendit janë mbledhur në sheshe dhe në xhami për të kryer një nga ritualet e kësaj dite të shënuar, faljen e namazit.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë urimet e tij me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke theksuar rëndësinë e paqes, solidaritetit dhe harmonisë mes njerëzve.

Në një prononcim për RTSH nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sipas kreut të Komunitetit Mysliman, mesazhi i kësaj feste mbetet një thirrje e fuqishme për forcimin e moralit, përgjegjësisë dhe humanizmit në jetën e përditshme.

“Feja jonë ndërtohet mbi paqen, respektin dhe vlerat njerëzore universale. Kjo festë na fton të reflektojmë më shumë për njëri-tjetrin, të jemi më pranë familjeve, të moshuarve dhe njerëzve në nevojë”, theksoi Spahiu.

Ai nënvizoi se Kurbani përfaqëson solidaritetin, ndarjen dhe kujdesin për tjetrin, sidomos në një kohë kur bota përballet me sfida dhe konflikte të shumta.

Kurban Bajrami, qytetarët në rrethe falin namazin në sheshe e xhami

Qindra besimtarë myslimanë kanë festuar Kurban Bajramin në disa qytete të vendit, duke marrë pjesë në faljet e organizuara në sheshet dhe ambientet kryesore publike. Mesazhet kryesore të kësaj dite të shenjtë kanë qenë solidariteti, sakrifica, paqja dhe qëndrimi pranë familjes e njerëzve në nevojë.

Në Fier, në sheshin qendror të qytetit, qindra besimtarë u mblodhën në orët e para të mëngjesit për të falur namazin e Kurban Bajramit. Ritit të faljes i priu drejtuesi i Myftinisë, Mikel Hazizolli, i cili theksoi se Kurban Bajrami është një nga festat më të rëndësishme të besimit islam dhe simbolizon sakrificën, solidaritetin dhe ndërgjegjësimin shpirtëror. Në mesazhin e tij, ai bëri thirrje që njerëzit të qëndrojnë më pranë familjes dhe njëri-tjetrit, duke theksuar se në kohën e internetit marrëdhëniet njerëzore janë ftohur.

Besimtarët, si çdo vit, kryen ritin e faljes dhe shkëmbyen urime për paqe, dashuri vëllazërore dhe mirëqenie në familjet e tyre. Sipas traditës, shumë prej tyre therën kurban dhe një pjesë të mishit ua shpërndanë familjeve në nevojë. Më pas, festa vijoi me dreka familjare dhe takime me të afërm e miq. Në Fier, kjo festë po merr çdo vit pjesëmarrje më të madhe, me besimtarë të grupmoshave të ndryshme që i bashkohen komunitetit islam.

Edhe në Lushnjë, qindra besimtarë myslimanë festuan Ditën e Kurban Bajramit në sheshin qendror të qytetit. Pas faljes së namazit, të pranishmit i përshëndeti Gramos Blliku, i cili në mesazhin e tij vuri theksin te solidariteti, ndihma ndaj njerëzve në nevojë dhe rëndësia e harmonisë në komunitet.

Në Gjirokastër, ceremonia e Kurban Bajramit u organizua në ambientet e Pallatit të Sportit, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm besimtarësh.

Ndërsa në Shkodër, qindra besimtarë u mblodhën për faljen e namazit pranë Xhamia e Fushë-Çelës. Falja u udhëhoq nga Muhamed Sytari, i cili në mesazhin e tij bëri thirrje për ruajtjen e vlerave fetare dhe kombëtare, si dhe për të mos e braktisur vendin.

Për besimtarët kjo është një ditë e veçantë. Ata urojnë njëri tjetrin për më shumë unitet në familje dhe për më shumë paqe për njerëzimin.

Kurban Bajrami pasohet në familjet e besimtarëve edhe me prerjen e një kurbani, kryesisht qingj, si shenjë devotshmëri dhe sacrifice.

Për 3 ditë me radhë, besimtarët myslimanë kanë mundësi të presin kurbanet e tyre kush nuk ka mundësi për sot, si dhe të kryejë disa tradita si vizita e të afërmve, njerëzve në nevojë apo e të sëmurëve./rtsh.al/

Të Ngjashme