Horoskopi

“Sot në 17:50, merrni një letër dhe shkruani dëshirat”, astrologia: Do ju plotësohen, Hëna jep dritën jeshile

Astrologia Esmeralda Petrela ka ndarë në emisionin “Mes’dritë” një mënyrë manifestimi që, sipas saj, duhet të praktikohet gjatë Hënës së Re në shenjën e Peshores. Ajo këshilloi që dëshirat të shkruhen në një letër ose në celular, duke i formuluar sikur të jenë realizuar tashmë.

Gjatë bisedës në studio, Petrela shpjegoi se koha e duhur për këtë praktikë, sipas interpretimit të saj astrologjik, është pasditja e së shtunës, pas orës 17:50.

“Hëna sot jep dritën jeshile për ta bërë pikërisht këtë gjë. Sot, të shtunën, kemi Hënën e Re në shenjën e Peshores, e cila ndodh sot pasdite në orën 17:50 (6 pa 10). Kështu që do të prisni pasditen, pas orës 18 pa 10”, u shpreh astrologia.

E pyetur nga moderatori se çfarë duhet të bëjnë konkretisht, Esmeralda shpjegoi se mënyra e formulimit të dëshirave është thelbësore për këtë ritual.

“Nga ora 17:50 e tutje, marrim një letër ose celularin (kudo ku mund të shkruajmë) dhe shkruajmë në kohën e tashme ose të kryer: ‘Unë kam’, ‘Unë jam’ çdo dëshirë që kemi, sikur është e realizuar dhe e kryer tashmë. Për shembull, nëse do të thoshim ‘Unë dua një makinë’, kjo është gabim; është një shembull i mirë i formës së gabuar. Ajo që duhet të shkruajmë është: ‘Unë kam një makinë’”, tha ajo.

Astrologia solli edhe shembuj të tjerë për mënyrën se si duhen shprehur dëshirat, duke përfshirë edhe ato që lidhen me financat personale. “Unë kam një makinë”, si dhe “Unë kam kaq para në llogarinë time bankare”, ishin dy nga formulimet që ajo sugjeroi gjatë bisedës.

Astrologia theksoi gjithashtu rëndësinë e pritjes deri në momentin e përcaktuar prej saj, duke e lidhur këtë praktikë me ndikimin që, sipas astrologjisë, ka Hëna e Re. “E di, por është shumë e rëndësishme që gjithashtu të pritet. Presim, sepse Hëna e Re është më e fuqishme se Hëna e Plotë”, u shpreh astrologia Esmeralda.

Në vijim të bisedës, moderatori vuri në dukje se Hëna e Plotë përfaqëson kulmin e një procesi, ndërsa astrologia shtoi se pas kësaj faze arrihet në një periudhë të ndryshme. Këshillat e saj u përqendruan te formulimi pozitiv i dëshirave dhe te ideja e përfytyrimit të tyre si të realizuara.

Të Ngjashme