Aktuale

Sot përcillet për në banesën e fundit Birçe Hasko, homazhe në Teatrin e Operas

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të zhvillohen sot, në orën 10:00, homazhet në nder të aktorit të njohur shqiptar Birçe Hasko, i cili u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka sjellë trishtim në radhët e artistëve, kolegëve dhe publikut, të cilët e kanë ndjekur dhe vlerësuar ndër vite për kontributin e tij në teatër dhe kinematografi. Me talentin dhe stilin e veçantë të interpretimit, Hasko krijoi personazhe që mbetën gjatë në kujtesën e shqiptarëve.Një prej roleve më të njohura të karrierës së tij ishte ai i Milo Tafanit në filmin Shi në Plazh, një interpretim që vazhdon të kujtohet edhe sot si ndër më të spikaturit në kinemanë shqiptare.

I lindur në Dukat më 15 mars 1942, Birçe Hasko nisi rrugëtimin profesional si mësues, përpara se t’i kushtohej plotësisht artit. Pas studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, ai zhvilloi një karrierë të gjatë si aktor dhe pedagog, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në formimin e brezave të rinj të artistëve.

Për veprimtarinë e tij artistike dhe akademike, ai u nderua me tituj të shumtë vlerësues, ndërsa emri i tij mbetet i lidhur ngushtë me historinë e teatrit dhe filmit shqiptar. Homazhet e sotme pritet të mbledhin familjarë, miq, kolegë dhe admirues për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej artistëve më të dashur të vendit.

Të Ngjashme