Lajme

Sot përfundon afati për subjektet e reja politike për aplikim në zgjedhjet e 7 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do ta përmbyllë sot në mesnatë afatin për aplikimin e subjekteve të reja politike që synojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Përveç 22 partive politike dhe 3 koalicioneve që tashmë kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje, mundësi për certifikim deri sonte kanë edhe koalicionet e reja, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se partitë politike konsiderohen automatikisht të certifikuara sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërsa procesi i aplikimit vlen vetëm për subjektet e reja politike.

Ai theksoi se aplikimet duhet të dorëzohen online në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar pranë KQZ-së.

Ndërkohë, afati tjetër i rëndësishëm zgjedhor është 12 maji, kur të gjitha subjektet politike duhet të dorëzojnë listat me kandidatët për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor, KQZ kishte certifikuar 1,180 kandidatë për deputetë nga 24 subjekte politike të ndryshme.

Të Ngjashme