Franca ka mobilizuar rreth 70 mijë policë dhe xhandarë për protestat e sotme kundër rritjes së kostos së jetesës. Autoritetet kanë vendosur masa të jashtëzakonshme sigurie, ndërsa disa nga muzetë më të njohur të Parisit do të qëndrojnë të mbyllur.
Sipas Associated Press, protestat sot pritet të mbahen në Paris, Marsejë dhe qytete të tjera franceze. Në to pritet të marrin pjesë studentë, sindikalistë dhe aktivistë të lëvizjes së njohur si “Jelekët e Verdhë”.
Mobilizimi i forcave të sigurisë vjen pas protestave të 17 tetorit, të cilat u shoqëruan me përleshje, plaçkitje, zjarre dhe dëmtime të ndërtesave publike e bizneseve.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, ka paralajmëruar se autoritetet nuk do të tolerojnë aktet e dhunës gjatë demonstratave.
Përveç policëve dhe xhandarëve, në terren do të angazhohen njësi speciale, automjete të blinduara, helikopterë dhe pajisje për shpërndarjen e turmave.
Për arsye sigurie, autoritetet kanë ndaluar disa demonstrata në qytete si Lioni, Nica dhe Montpelieri.
Ndërkohë, Ministria franceze e Kulturës ka njoftuar mbylljen e Muzeut të Luvrit, Muzeut Orsay, Muzeut Picasso dhe Grand Palais në Paris.
Vendimi është marrë për të garantuar sigurinë e vizitorëve, punonjësve dhe veprave të artit.
Edhe panairi ndërkombëtar i artit bashkëkohor, Art Basel Paris, ka anuluar programin e fundjavës. Në këtë ngjarje marrin pjesë 211 galeri ndërkombëtare.
Sipas raportimeve të mediave franceze, protestat e javës së kaluar shkaktuan dëme të mëdha materiale. Qindra biznese në Paris u vandalizuan, ndërsa shumë pronarë kanë marrë masa shtesë për mbrojtjen e dyqaneve./kp
