Lajme

“Mjaft më me UNMIK-un”, Kosova kërkon fundin e një kapitulli të gjatë të administrimit ndërkombëtar

Misioni i UNMIK-ut në Kosovë, i vendosur pas luftës për të ndihmuar në administrimin dhe rindërtimin e institucioneve, po shihet gjithnjë e më shumë si një kapitull që duhet të marrë fund.

Derisa Kosova ka ndërtuar institucionet e veta dhe synon ushtrimin e plotë të sovranitetit shtetëror, kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për largimin e këtij misioni ka rikthyer në vëmendje debatin për rolin dhe domosdoshmërinë e tij.

Vlerësimet nga fusha e analizës politike dhe veprimtarisë shoqërore janë se UNMIK-u e ka përmbushur kryesisht misionin historik, ndërsa përgjegjësitë për të ardhmen e Kosovës duhet t’u takojnë institucioneve të saj, pa u cenuar partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare.

Tahiraj vlerëson se UNMIK-u e ka tejkaluar prej kohësh arsyen e ekzistencës në Kosovë, duke kërkuar që shtetet anëtare të OKB-së ta shqyrtojnë seriozisht përfundimin e misionit

Fillimisht, veprimtari Saim Tahiraj ka kërkuar largimin e UNMIK-ut nga Kosova, duke vlerësuar se vendi ka ndërtuar institucionet e veta dhe ka dëshmuar aftësinë për të marrë përgjegjësi për të ardhmen e tij.

Sipas tij, Kosova ka shënuar përparim në zhvillimin institucional, politik dhe shoqëror, prandaj prania e këtij misioni ndërkombëtar nuk e ka më rolin që kishte në periudhën e pasluftës.

“Jo vetëm që ka ardhur koha për largimin e UNMIK-ut nga Kosova, por ky mision e ka tejkaluar prej kohësh arsyen e ekzistencës së tij në vendin tonë”, shprehet Tahiraj për ‘Bota sot’.

Ai thotë se një pjesë e qytetarëve të Kosovës janë zhgënjyer nga veprimet e UNMIK-ut dhe nga mënyra se si ky mision i ka paraqitur zhvillimet në vend përmes raporteve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në instanca të tjera ndërkombëtare.

Sipas Tahirajt, këto veprime dhe raportime kanë ndikuar në krijimin e mosbesimit ndaj rolit dhe qasjes së misionit, duke shtuar se Kosova nuk mund të mbetet pafundësisht nën hijen e një pranie ndërkombëtare, ndërkohë që synon konsolidimin e mëtejshëm të shtetësisë së saj.

Ai vlerëson se marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare duhet të ndërtohen mbi partneritetin, respektimin e institucioneve të Kosovës dhe përgjegjësinë e ndërsjellë.

“Sa më shpejt të përmbyllet misioni i UNMIK-ut, aq më mirë do të jetë për Kosovën dhe, njëkohësisht, për vetë UNMIK-un”, thekson Tahiraj.

Në këtë kontekst, ai kërkon që shtetet anëtare të OKB-së ta trajtojnë seriozisht kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për largimin e UNMIK-ut nga Kosova.

Sipas tij, edhe shtetet e tjera duhet ta shqyrtojnë këtë çështje duke marrë parasysh realitetin aktual politik dhe institucional të vendit dhe të mbështesin një proces që do të çonte drejt përfundimit të misionit.

Tahiraj thekson se Kosova ka nevojë për marrëdhënie të fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, por nënvizon se këto raporte duhet të bazohen në respektin e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror dhe forcimin e institucioneve demokratike.

“Është koha që përgjegjësitë për të ardhmen e vendit të ushtrohen nga institucionet e tij dhe që prania ndërkombëtare të përshtatet me realitetin e krijuar”, shprehet ai.

Në përfundim, Tahiraj vlerëson se Kosova duhet të vazhdojë rrugën e saj si shtet me institucione të përgjegjshme dhe me partneritet të qëndrueshëm me botën demokratike, ndërsa përfundimi i misionit të UNMIK-ut, sipas tij, është çështje që duhet të marrë fund sa më shpejt.

Zogaj thotë se UNMIK-u ishte i domosdoshëm në periudhën e pasluftës, por vlerëson se Kosova sot ka kapacitetet për t’i ushtruar në mënyrë të pavarur funksionet e saj shtetërore

Kurse, publicisti Skender Zogaj vlerëson se UNMIK-u ka luajtur rol të rëndësishëm në periudhën e pasluftës në Kosovë, por se sot vendi ka mundësitë dhe kapacitetet për të marrë plotësisht në duart e veta përgjegjësitë shtetërore. Ai e konsideron të drejtë kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përfundimin e misionit dhe kërkon që ajo të zbatohet sa më parë.

Duke folur për rolin e UNMIK-ut në Kosovë, Zogaj thotë se ky mision ishte i domosdoshëm në fillim, kur vendi po përballej me pasojat e rënda të luftës, shkatërrimin dhe pasigurinë, si dhe me sfidat e rikthimit të jetës qytetare pas eksodit të madh të popullsisë.

“UNMIK-u, që në fillimet e veta, ka qenë një mekanizëm i domosdoshëm për nisjen e jetës së pasluftës në Kosovën e djegur dhe të shkatërruar nga lufta”, shprehet Zogaj për ‘Bota sot’.

Sipas tij, misioni shërbeu si ndërmjetësues ndërkombëtar në një periudhë të re për Kosovën, kur shoqëria dhe institucionet vendore ende nuk ishin plotësisht të përgatitura për t’i marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë e qeverisjes.

Zogaj vlerëson se UNMIK-u e ka realizuar përgjithësisht mirë misionin e vet, ndonëse, sipas tij, përbërja heterogjene dhe dallimet ndërmjet përfaqësuesve të ndryshëm ndërkombëtarë kanë paraqitur pengesa në përmbushjen e plotë të mandatit.

Ai thekson se roli i këtij misioni është vërejtur veçanërisht në nivelin e pushtetit lokal, ku janë shfaqur si arritjet, ashtu edhe dobësitë e administrimit ndërkombëtar.

Po ashtu, Zogaj potencon se disa nga këto dobësi kanë buruar nga përvojat, prejardhja dhe pikëpamjet e ndryshme të zyrtarëve të UNMIK-ut, përfshirë raste kur, sipas vlerësimit të tij, janë mbajtur qëndrime të njëanshme ndaj Kosovës.

Megjithatë, ai konsideron se misioni e ka përfunduar me sukses dhe në kohën e duhur rolin e tij në nivelin lokal, duke kontribuar në krijimin e një stabiliteti funksional dhe të qëndrueshëm të pushtetit lokal.

Një vlerësim më kritik, Zogaj ka për qasjen e UNMIK-ut ndaj qeverisjes qendrore. Sipas tij, në këtë nivel misioni nuk e përfundoi rolin në kohën e duhur dhe, përmes qëndrimeve e ndërhyrjeve që ai i cilëson arbitrare, pengoi institucionet e Kosovës të merrnin vendime të pavarura.

“Kjo qasje pati pasoja negative në shumë fusha të veprimtarisë institucionale”, vlerëson Zogaj.

Megjithatë, analisti thekson se prania mbikëqyrëse e UNMIK-ut pati edhe efekte pozitive në disa fusha të ndjeshme, veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe atë të sigurisë.

Ai shpreh bindjen se, në mungesë të kësaj pranie dhe mbikëqyrjeje ndërkombëtare, këto fusha do të mund të përballeshin me zhvillime shumë më të rënda, me pasoja për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

Duke folur për situatën aktuale, Zogaj thotë se rrethanat kanë ndryshuar dhe se Kosova tashmë ka mundësi më të mëdha për t’i marrë plotësisht në zotërim funksionet e veta shtetërore.

“Kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është plotësisht e drejtë dhe duhet të zbatohet sa më parë”, thekson ai.

Në fund, Zogaj vlerëson se, me angazhim më të madh, kujdes dhe përgjegjësi në procesin e shtetndërtimit, Kosova mund t’i ushtrojë funksionet e saj në mënyrë të pavarur dhe efektive, duke përshtatur praninë ndërkombëtare me realitetin e sotëm institucional të vendit.

Të Ngjashme