Lajme

SPAK bllokon transaksionin për Zvërnecin, Rama: Hetoni pronën, jo investimin

Mes raportimeve se SPAK ka sekuestruar rreth 200 milionë euro në llogaritë bankare të kompanisë që synon të investojë në Zvërnec, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama komentoi çështjen, për të cilën ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme.

“Investitorët janë në të drejtën e tyre, bllokimi i transaksionit nga ana e autoriteteve është arbitrar dhe negativ. Bllokimi i kalimit të parave te pronari për të cilin ka dyshime është një çështje e drejtë e organit hetimor”, tha Rama gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa i cili po qëndron në vizitë në Tiranë.

Kryeministri mbështeti hetimet e SPAK-ut lidhur me pronësinë e tokës në Zvërnec.

“Kjo e SPAK-ut ka dy pjesë: pozitive, që i takon SPAK-ut, dhe atë të shëmtuar, që u takon zëdhënësve të vetëofruar të SPAK-ut.”

Rama vlerësoi si të nevojshëm hetimin e SPAK-ut për origjinën e pronës në Zvërnec, por kritikoi ata që, sipas tij, kanë përhapur informacione të pjesshme.

“Pjesa pozitive është ajo e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Është shumë pozitive që SPAK-u ta hetojë origjinën e kësaj prone. Është e mirëseardhur dhe unë e nxis këtë hetim. Pjesa e shëmtuar është ajo e zëdhënësve të vetëofruar, të cilët ndanë me opinionin publik gjysmë të vërteta, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, pasi investitorët që janë sot zotëruesit e pronës, duke ndjekur të gjitha procedurat që parashikon ligji shqiptar, janë investitorë me një reputacion të padiskutueshëm.”

Ai theksoi se investitorët kanë ndjekur procedurat ligjore dhe se burimet e tyre financiare janë verifikuar nga autoritetet përgjegjëse.

“Burimet financiare të tyre, përmes të cilave është kryer pagesa te zotëruesit e pronës, sepse janë disa, janë verifikuar edhe më imtësisht nga Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave”, u shpreh ai.

Rama deklaroi se projekti nuk do të ndalet dhe u shpreh i gatshëm të dëgjojë kundërshtimet ndaj tij.

“Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do jem këtu, ndërkohë jam i hapur për të diskutuar me këdo që ka pretendime por duhet të sqarojmë për çfarë janë pretendimet”, deklaroi kreu i qeverisë.

Rama argumentoi se projekte të ngjashme kanë kontribuar në transformimin e vendeve si Greqia, Mali i Zi dhe Spanja.

Të Ngjashme