SPAK këtë të diel ka bërë me dije se ka dhënë pretencën për një tjetër fraksion të dosjes “Revanshi”, ku të akuzuar janë 5 persona të tjerë. SPAK ka kërkuar në total 56 vite burg për 5 të pandehur, mes të cilëve edhe vëllai i ish-deputetit socialist Eduard Ndreca.
Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në GJKKO pretencën për ish-efektivin e RENEA-s, Adrian Pikli, për të cilin kërkon një dënim me 10 vite e 6 muaj burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar zbret në 7 vite.
Ndërsa për Edison Muçekun kërkohen 9 vite burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohen në 6 vite. Po ashtu, i njëjti dënim është kërkuar edhe për Elvis Ndrecën, djalin e xhaxhait të ish-deputetit Eduard Ndreca, për të cilin 9 vitet burg zbresin në 6 vite.
Po ashtu, për Armando Ndrecën, vëllain e ish-deputetit socialist Eduard Ndreca, SPAK ka kërkuar 15 vite burg, të cilat me gjykim të shkurtuar reduktohen në 10 vite.
Ndërsa për të akuzuarin tjetër në këtë dosje, Deivis Bajramajn, kërkohen 12 vite burg, që zbresin në 8 vite.
Pesë të pandehurit akuzohen për veprat penale “grup i strukturuar kriminal”, “kultivim i bimëve narkotike”, “armëmbajtje pa leje” dhe “sigurim i kushteve për të kryer vrasje”.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi një megaoperacion më 17 maj 2024 për të goditur disa grupe të strukturuara kriminale, të cilat operonin në vrasje apo trafikim të lëndëve narkotike dhe ishin të shpërndara në disa nga qytetet kryesore të vendit.
Gjatë këtij operacioni u lëshuan 50 urdhër-arreste, ndërsa u sekuestruan edhe pasuri me vlerë rreth 4.5 milionë euro.
