Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, i bëri thirrje BE-së të forcojë kapacitetin e saj ushtarak, duke paralajmëruar se pasiguria mbi angazhimin e SHBA-së ndaj sigurisë evropiane mund të inkurajojë kundërshtarë si Rusia.
“Nuk mund të zgjohemi çdo mëngjes duke menduar se çfarë do të bëjë SHBA-ja më pas”, tha Albares për Politico. “Qytetarët tanë meritojnë më mirë”.
Ai e quajti momentin aktual një pikë kthese për autonominë strategjike të Evropës, shkruan Anadolu.
“Ky është momenti i sovranitetit dhe pavarësisë së Evropës. Amerikanët po na ftojnë për këtë”, tha ai. “Ne duhet të jemi të lirë nga varësia.”
Albares theksoi se një mbrojtje më e fortë evropiane nuk synon të dobësojë NATO-n.
“Ne kemi nevojë për një ushtri, një kapacitet të përbashkët mbrojtës”, tha ai. “Nëse NATO nuk po ofron më sigurinë që na është dhënë më parë… (atëherë) ne duhet të bëjmë më shumë si evropianë.”
Ai shtoi se Evropa ende e konsideron SHBA-në aleat kyç, por pranoi se administrata Trump ka “një vizion të ri dhe ide të reja rreth marrëdhënieve transatlantike”.
Spanja së fundmi u ka mohuar avionëve ushtarakë amerikanë qasjen në bazat e saj ajrore gjatë konfliktit, duke nxitur kërcënime nga Uashingtoni për masa ndëshkuese.
