Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës njoftoi se ka pranuar vendimin e Prokurorisë Speciale për hedhjen poshtë të kallëzimit penal ndaj kryetarit të Sindikatës, një pjese të kryesisë dhe 6 minatorëve.
Sipas Sindikatës, kallëzimi penal ishte bërë nga menaxhmenti i kaluar.
“Fatkeqësisht, edhe sot ka njerëz që kur ulen në karrige drejtuese mendojnë se janë mbi ligjin, mbi punëtorin dhe mbi sindikatën. Ka menaxherë që nuk e njohin rolin e sindikatave, nuk e kuptojnë demokracinë sindikale dhe mendojnë se përmes presionit, shantazhit, suspendimeve e kallëzimeve penale mund ta heshtin zërin e minatorit” shkruan Sindikata.
Sipas vendimit të Prokurorisë, me asnjë provë nuk është vërtetuar fakti se të dyshuarit kanë kryer veprat penale të sabotimit, keqpërdorimit të së drejtës së grevës apo ndonjë vepër tjetër penale.
Ky është reagimi i plotë i Sindikatës:
Sot morëm vendimin zyrtar të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për hedhjen poshtë të kallëzimit penal ndaj kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, z. Ibrahim Januzi, një pjese të kryesisë së sindikatës dhe 6 minatorëve, kallëzim ky i bërë nga menaxhmenti i kaluar.
Ky është një moment shumë i rëndësishëm jo vetëm për ne si sindikatë, por për gjithë sindikalizmin në Kosovë.
Fatkeqësisht, edhe sot ka njerëz që kur ulen në karrige drejtuese mendojnë se janë mbi ligjin, mbi punëtorin dhe mbi sindikatën. Ka menaxherë që nuk e njohin rolin e sindikatave, nuk e kuptojnë demokracinë sindikale dhe mendojnë se përmes presionit, shantazhit, suspendimeve e kallëzimeve penale mund ta heshtin zërin e minatorit.
Por sot morën përgjigjen më të mirë të mundshme.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka bërë të qartë se reagimet tona dhe greva 10 ditore e tetorit te vitit 2023 kanë qenë reagime sindikale dhe mbrojtje e të drejtave të punëtorëve, e jo vepra penale.
Prokuroria Speciale e Kosovës ndër të tjera konstaton:
“Reagimi i punëtorëve dhe kryetarit të kësaj sindikate ka qenë me pasoja të drejtpërdrejta ndaj tyre dhe cenim të të drejtave të tyre nga marrëdhënia e punës dhe jo një veprim me karakter penal nga ana e tyre.”
Dhe më tej:
“Me asnjë provë nuk është vërtetuar fakti se të dyshuarit kanë kryer veprat penale të sabotimit, keqpërdorimit të së drejtës së grevës apo ndonjë vepër tjetër penale.”
Pra, drejtësia foli qartë.
Kjo është fitore e sindikalizmit, fitore e minatorëve dhe fitore e së drejtës për të ngritur zërin kundër padrejtësisë.
Askush nuk mund ta kriminalizojë protestën sindikale.
Askush nuk mund ta frikësojë minatorin.
Askush nuk mund ta shuajë zërin e punëtorit.
Ne do të vazhdojmë të reagojmë sa herë cenohen kushtet e punës, dinjiteti dhe të drejtat e minatorëve. Mund të provojnë të na largojnë nga puna, mund të provojnë të bëjnë presione, por nuk do të arrijnë kurrë ta thyejnë shpirtin luftarak të minatorit.
Minatorët nuk janë dorëzuar as në kohët më të vështira, as përballë okupatorëve, e aq më pak do të dorëzohen sot përballë atyre që mendojnë se pushteti i përkohshëm i bën të paprekshëm.
Sot u dëshmua se në këtë vend ende ka prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm që mbrojnë ligjin, lirinë e shprehjes dhe të drejtën sindikale.
Ndaj atyre që ndërtuan kallëzime të rreme, që tentuan të na njollosin dhe të na frikësojnë, u themi qartë:
do të përballeni me përgjegjësi për shpifjet dhe kallëzimet e rreme.
Sindikatën e Minatorëve nuk e ndal askush.
Ne jemi zëri i minatorit.
Ne jemi mbrojtësit e dinjitetit të punëtorit.
Dhe këtë betejë do ta vazhdojmë gjithmonë, pa frikë dhe pa u ndalur.
