Lajme

Studentët shqiptarë në RMV gati për protestën e radhës

Pasditen e së dielës, studentët e degës së Juridikut nga universitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilët protestuan së fundmi në Shkup për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, nisën mobilizimin për hapa të mëtejshëm nga Kumanova.

Në një debat të organizuar në shkollën fillore komunale “Naim Frashëri” në Kumanovë, ata u njoftuan me situatën aktuale dhe u këshilluan për organizimet e radhës.

Organizatori i protestave studentore, Mevlan Ademi, theksoi rëndësinë e bashkimit dhe njëzërisë së kërkesave:

“Takohemi me kolegët dhe studentët e qytetit të Kumanovës, të cilët edhe e mbështetën protestën tonë, njihemi me ata, ua dëgjojmë këshillat dhe në përgjithësi jemi në qëndrimin tonë të përbashkët. Bashkimi i studentëve shqiptarë është rëndësia jonë dhe që çdo kërkesë e radhës të jetë e njëzëshme. Qëllimi kryesor i debatit të sotëm ishte në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet dhe provimin e jurisprudencës.”

Studentja në Universitetin Ndërkombëtar të Tetovës, Arlinda Emini, shpjegoi qëllimin e takimit si rishikim të protestës dhe planifikim për vazhdimësinë:

“Qëllimi i këtij takimi ishte që të bisedojmë rreth protestës që realizuam, ankesa, sugjerime apo vlerësime rreth saj, me qëllim që të vazhdohet në mënyrën e njëjtë, si dhe t’i informojmë në numër sa më të madh se për çka kemi dalë dhe çka është provimi i Jurisprudencës.”

Studenti Jon Selimi vlerësoi komunikimin me kolegët dhe përcaktimin e perspektivës së tyre:

“Realisht jemi të kënaqur, pasi që kishte vullnet për të komunikuar, për të shprehur ide të ndryshme dhe për të pasur një pasqyrë më të qartë se si e shohin ata perspektiven e tyre, kauzën tonë, që na bëri të ndjehemi krenarë me faktin se ata ndihen pjesë e kësaj.”

Nga debati u konkludua se protestat do të vazhdojnë derisa të pranohet kërkesa për provimin në gjuhën shqipe. U paralajmërua gjithashtu organizimi i debateve të ngjashme me studentë edhe në qytete të tjera të vendit./TopChannel.

Të Ngjashme