Virusi i fruthit është një sëmundje shumë ngjitëse që rezulton në ethe, kollë dhe skuqje me njolla. Miratimi i vaksinës kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR) në vitet 1960 uli ndjeshëm shkallën e sëmundjes; në fakt, virusi në fjalë u shpall i eliminuar në Shtetet e Bashkuara në vitin 2000.
Megjithatë, në vitet e fundit, një rënie në shkallën e vaksinimit ka çuar në një rritje të shpërthimeve të fruthit në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.
“Ka një numër në rritje njerëzish që nuk mund të vaksinohen ose nuk janë vaksinuar plotësisht”, tha Erica Ollmann Saphire, biologe strukturore dhe imunologe në Institutin La Jolla për Imunologji në një njoftim për shtyp. “Të njëjtët njerëz që nuk mund të vaksinohen ose nuk mund të vaksinohen ende, janë të njëjtët njerëz për të cilët një infeksion nga virusi i fruthit do të ishte më i rëndi – ose vdekjeprurës”.
Kjo e motivoi atë dhe kolegët e saj që të hartojnë epitopet, të cilat janë pjesë specifike të një virusi që njihen nga antitrupat e nxitur nga vaksina, si dhe të identifikojnë një terapi specifike kundër fruthit për këtë kategori të ndjeshme pacientësh, raporton revista shkencore “The Scientist”.
Në një studim të ri, të publikuar në “Cell Host & Microbe”, Saphire dhe kolegët e saj identifikuan një panel antitrupash njerëzorë që synojnë virusin e fruthit te pacientët e vaksinuar me vaksinën MMR. Këta antitrupa u lidhën ose me proteinën e bashkimit të fruthit (F), ose me proteinën e ngjitjes (H) në sipërfaqen e virusit dhe bllokuan infeksionin në një model kafshësh. Për shkak se ekipi vëzhgoi si mbrojtjen parandaluese, ashtu edhe atë terapeutike me këta antitrupa, kjo punë mund të udhëheqë zhvillimin e trajtimeve të ardhshme.
Shumica e antitrupave të nxitur nga vaksina lidhen me proteinën H; megjithatë, një përqindje e antitrupave kundër proteinës F janë gjithashtu frenues të fuqishëm viralë, megjithëse ndërveprimet e tyre nuk janë karakterizuar plotësisht. Në një studim të mëparshëm, Saphire dhe kolegët e saj përdorën mikroskopinë krio-elektronike në antitrupat kimerikë mi-njeri që synojnë proteinën F.
Me këtë metodë, ata vëzhguan një pamje më të qartë se si këto antitrupa lidhen me virusin e fruthit. Kur virusi bashkëvepron me një qelizë njerëzore, ai i nënshtrohet një ndryshimi në formë për t’u bashkuar me veten [me membranën e qelizës amë dhe më pas infekton qelizën pritëse]. Veçanërisht, katër antitrupa të miut synuan konformacione të dallueshme F: tre prej këtyre antitrupave u lidhën me epitope para bashkimit, duke parandaluar ndryshimin e formës dhe nga ana tjetër duke bllokuar virusin nga hyrja në qelizë.
Në këtë studim të ri, ekipi kërkoi të identifikonte nëse një model i ngjashëm ishte i pranishëm në antitrupat njerëzorë. Ata analizuan gjakun nga një pacient i vaksinuar më parë dhe izoluan një panel të përbërë nga 52 antitrupa anti-H dhe 46 antitrupa anti-F. Pastaj, studiuesit përdorën teknika të imazherisë 3D për të hartuar epitopet strukturore në këto proteina virale dhe ndërveprimet e tyre me antitrupat njerëzorë: ata identifikuan katër vende kryesore në proteinën H dhe pesë në proteinën F. Ashtu siç vunë re në punën e tyre të mëparshme, këto antitrupa kishin gjithashtu potencial neutralizues.
“Ne zbuluam se këto antitrupa janë jashtëzakonisht të fuqishëm”, tha në një deklaratë bashkautori i studimit Dawid Zyla, i cili është një studiues postdoktoral në grupin e Saphire.
Kur i testuan këto antitrupa në një model paraklinik me miun, ata zbuluan se nëse e jepnin panelin e antitrupave para ekspozimit ndaj fruthit ose brenda 24 deri në 48 orësh pas infeksionit, antitrupat e ulnin ngarkesën virale – deri në 500-fish. Këta antitrupa mbrojtës synonin epitope të dallueshme, jo-konkurruese, duke bërë me dije se ato mund të përdoren si një trajtim i fuqishëm për pacientët.
Ndërsa nevojitet punë e mëtejshme për të sjellë këto njohuri në klinikë, studiuesit janë optimistë se këto gjetje ofrojnë rrugë të reja për ndërhyrje profilaktike ose terapeutike kundër fruthit.
