Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po vazhdon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Sipas KQZ-së, nga 2 deri më 12 maj 2026, të gjitha subjektet politike – partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – duhet të dorëzojnë online listat me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në procesin zgjedhor.
Procesi i dorëzimit të listave po zhvillohet në mënyrë elektronike përmes platformës së KQZ-së dhe Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).
Ndërkohë, KQZ ka bërë të ditur se partitë politike të regjistruara konsiderohen automatikisht të certifikuara, ndërsa ky proces i aplikimit përfshin vetëm subjektet e reja politike si koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilat mund të aplikojnë për certifikim nga 2 deri më 10 maj 2026.
Sipas KQZ-së, dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë është një nga hapat kryesorë të procesit zgjedhor dhe kusht për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare.
Komunikata e plotë:
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 7 maj 2026 është përmbyllur afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve.
Këto obligime vlenin vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës.
Gjatë periudhës 7-ditore (1 maj – 7 maj 2026), KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, mospjesëmarrje nga 9 parti politike dhe 3 koalicione.
Partitë politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 21. Stranka Demokratske Akcije; dhe 22. Partia Demokratike e Kosovës.
Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate.
Partitë politike që kanë njoftuar për formim të koalicionit janë: 1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); (2). Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar) dhe 3. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).
Informacione shtesë:
KQZ njofton se janë duke vazhduar afatet për aplikimin e subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Proceset e aplikimit për certifikim dhe dorëzimit të listave të kandidatëve do të zhvillohen në mënyrë elektronike, përmes platformës së KQZ-së, respektivisht përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).
I. Aplikimi për certifikim të subjekteve të reja politike, 2 maj – 10 maj 2026:
Nga data 2 maj dhe deri më 10 maj 2026, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatet e pavarur) duhet të dorëzojnë aplikimin online për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara konsiderohen automatikisht të certifikuara, andaj ky proces vlen vetëm për subjektet e reja politike, të cilat janë: koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.
II. Dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë, 2 maj – 12 maj 2026:
Ndërkaq, nga 2 maj – 12 maj 2026, të gjitha subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë online listën me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
