Agjencia për Media dhe Informim pranë Kryeministrisë ka reaguar pas pretendimeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale se efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në protestën e sotme të veshur me uniformat e Policisë së Shtetit.
MIA i cilëson këto pretendime të pavërteta, duke përcjellë qëndrimin e Ministrisë së Mbrojtjes se asnjë ushtarak nuk është përfshirë në veprimtari policore me uniformën e Policisë së Shtetit.
Në reagim, qytetarëve u bëhet thirrje të mos shpërndajnë informacione të paverifikuara dhe t’u referohen burimeve zyrtare.
“Ministria e Mbrojtjes përgënjeshtron kategorikisht këtë pretendim, duke konfirmuar se asnjë efektiv i Forcave të Armatosura nuk është angazhuar në veprimtari policore duke përdorur uniformën e Policisë së Shtetit. Sipas njoftimit, Forcat e Armatosura ushtrojnë detyrat e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagim.
