Lajme

Stuhi e fuqishme në Kosovë, një person humb jetën dhe dy të tjerë lëndohen – Osmani jep detaje për “Bota sot”

Stuhia e fuqishme që ka përfshirë Kosovën për të dytën ditë radhazi ka shkaktuar pasoja të rënda në disa zona të vendit.

Në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, një person ka humbur jetën si pasojë e një incidenti të shkaktuar nga kushtet e vështira atmosferike, ndërsa dy persona të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka konfirmuar për “Bota sot” se viktima, një burrë i lindur në vitin 1965, dyshohet se ka pësuar lëndime fatale pas një rrëzimi aksidental në ballkonin e shtëpisë së tij.

“Më datën 21.07.2026, rreth orës 16:30, si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike, në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, një person mashkull kosovar i vitit të lindjes 1965, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij, me ç’rast ka pësuar lëndime në kokë.

I njëjti me autoambulancë është dërguar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, ku sipas mjekut kujdestar është konstatuar se është pa shenja jete”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillojnë hetime për zbardhjen e plotë të rastit.

“Njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, ka shtuar ai.

Përveç rastit me fatalitet, stuhia ka shkaktuar edhe lëndime te dy persona të tjerë në Pozheran.

“Po ashtu, si pasojë e kushteve atmosferike, dy persona meshkuj kosovar nga fshati Pozheran kanë pësuar lëndime të lehta trupore si pasojë e rrëzimit të dyerve hyrëse të oborrit të tyre.

Të njëjtit pas tretmanit mjekësor të pranuar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan janë liruar për në shtëpi.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon tek qytetarët që gjatë kushteve të tilla atmosferike të kenë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse”, ka përfunduar Osmani për “Bota sot”.

Të Ngjashme