Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sulmi i Iranit, SHBA: Vendimi për hakmarrje i takon Izraelit

Hakmarrja ndaj sulmit të Iranit të shtunën do të jetë një vendim i marrë nga Izraeli, tha të hënën një zëdhënës i Pentagonit.

“Unë nuk dua të hyj në hipoteza. Në këtë pikë, nëse Izraeli i përgjigjet apo jo sulmit të Iranit, natyrisht, është diçka që Izraeli duhet të diskutojë dhe të vendosë,” u tha gazetarëve gjeneralmajor Pat Ryder.

I pyetur nëse Izraeli e ka informuar Pentagonin nëse planifikon t’i përgjigjet sulmit iranian, Ryder tha se nuk do të flasë në emër të Izraelit.

Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin përshkallëzim, theksoi ai, duke shtuar se Uashingtoni do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur forcat e veta në rajon dhe për të mbrojtur Izraelin.

“Kur bëhet fjalë për çdo lloj reagimi izraelit, dhe përsëri, unë nuk do të flas në emër të izraelitëve. Ky është një vendim që ata duhet ta marrin për sa i përket çfarë bëjnë, nëse e bëjnë dhe si e bëjnë atë,” tha ai.

Irani nisi më shumë se 300 sulme me raketa dhe dronë në të gjithë Izraelin të shtunën në mbrëmje në një hakmarrje ndaj sulmit ajror ndaj konsullatës iraniane në kryeqytetin sirian Damask më 1 prill, ku u vranë shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare, përfshirë dy gjeneralë.

Ryder tha se SHBA nuk ishte informuar paraprakisht nga Irani për sulmin e së shtunës.

“Ne nuk na janë dhënë specifika nga Irani, në dijeninë time, ndonjë specifikë për sa i përket orëve, datave të sakta. Ne padyshim kemi një rrjet të fortë inteligjence që ofron indikacione dhe paralajmërime. Por për t’iu përgjigjur pyetjes suaj specifike: Jo, Irani nuk na tha se kur dhe ku do të sulmonin,” tha ai. /AA