Incidenti i fundit në Skenderaj, ku u sulmua fizikisht zëvendësministri i Financave Hysni Mehani, ka ngritur shqetësime serioze për rritjen e tensioneve politike në prag të zgjedhjeve lokale të 7 qershorit.
Në këtë incident është përfshirë edhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili është intervistuar edhe nga Policia e Kosovës. Ku, më pas Lushtaku është liruar në procedurë të rregullt.
Një sulm i tillë ka ndodhur pak para hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Tubimet me qytetarë veçse kanë nisur kohë më parë, dhe një tubim i tillë duket se është bërë shkak për sulmin e ndodhur në rajonin e Drenicës.
Por, a mund të ndikojnë incidente të tilla në klimën politike teksa zgjedhjet po afrohen? Deri në çfarë mase këto përplasje mund të rrisin tensionet në prag të garës zgjedhore? Dhe, si mund të reflektohen këto ngjarje në sjelljen dhe vendimin e votuesve në ditët e ardhshme?
Tahiraj akuzon PDK-në për kultivim të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës politike, duke kërkuar reagim institucional ndaj incidentit në Skenderaj
Për këtë temë për “Bota sot”, foli publicisti dhe veprimtari, Saim Tahiraj, i cili tha se, konfrontimi fizik në Skenderaj për zgjidhjen e divergjencave politike, është pasojë e një mendësie politike që buron nga i njëjti burim ideologjik.

Saim Tahiraj
Ai vlerëson se subjektet politike që dikur u ndanë për ta luftuar kulturën demokratike të ndërtuar ndër vite nga presidenti historik Ibrahim Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, tashmë kanë kaluar kufijtë e përballjes politike dhe janë kthyer në konfrontime të ashpra fizike.
“Ky mentalitet primitiv, që nga lufta e deri më sot, kundërshtarin politik e sheh si armik dhe ndaj tij përdoren të gjitha mjetet. Kjo mendësi u shpërfaq me vrasjet politike gjatë dhe pas luftës, ndërsa tani është rikthyer edhe në Skenderaj me një veprim banditesk, i dhimbshëm për popullin dhe shtetin tonë”, deklaroi Tahiraj.
Po ashtu, ai vlerësoi se skena të tilla janë fyese dhe denigruese për një shoqëri demokratike dhe dëmtojnë imazhin e Kosovës në sytë e botës demokratike.
“Kur bota demokratike sheh skena të tilla primitive, pyet se çfarë shoqërie jemi dhe si i zgjidhim problemet. Përgjigjja e tyre është: ‘Sa më larg tyre’”, u shpreh ai.
Sipas Tahirajt, nuk është rastësi që incidenti ndodhi pikërisht në Skenderaj, të cilin e cilësoi si bastion të Partia Demokratike e Kosovës. Ai kritikoi ashpër edhe faktin që, sipas tij, individë që e quajnë veten trashëgimtarë të Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfshihen në përleshje fizike publike.
“Ata me grada gjeneralësh të vetëshpallur grushtohen para qytetarëve dhe madje mburren me këto veprime. Turp”, deklaroi Tahiraj.
Në fund, Tahiraj kërkoi reagim urgjent nga institucionet e sigurisë dhe organet e drejtësisë ndaj incidentit, duke theksuar se askush nuk duhet të sillet mbi ligjin në një shtet demokratik.
Analisti politik thotë se incidentet dhe retorika përçarëse në Skenderaj po ushqejnë polarizim të rrezikshëm në skenën politike
Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti për “Bota sot” u shpreh se përgjegjësia politike për tensionet e fundit në Skenderaj bie rëndë mbi Sami Lushtaku, jo vetëm për shkak të përfshirjes së përmendur në incident, por edhe për diskursin që, sipas tij, ai ka përdorur vazhdimisht ndaj kundërshtarëve politikë.

Faton Mehmeti
Sipas Mehmetit, kur një figurë e rëndësishme politike del publikisht dhe e quan kryeministrin Albin Kurti “argat të Serbisë”, kjo nuk përbën më debat politik, por nxit polarizim dhe armiqësi të rrezikshme në shoqëri.
“Akuza të tilla janë të rënda dhe kontribuojnë në krijimin e një atmosfere ku kundërshtari politik shihet si armik dhe jo si rival demokratik”, vlerësoi Mehmeti.
Ai theksoi se Skenderaj ka kaluar mjaft plagë dhe përçarje në të kaluarën dhe nuk duhet të rikthehet sërish në simbol të tensioneve politike.
“Një kryetar komune apo figurë me ndikim duhet të japë shembull për maturi dhe qetësi, jo të lidhet vazhdimisht me gjuhë konflikti dhe përplasje fizike”, tha ai.
Sipas Mehmetit, politika nuk mund të udhëhiqet me logjikën e forcës apo me etiketim patriotik ndaj kujtdo që mendon ndryshe, pasi kjo vetëm sa e thellon ndarjen dhe tensionin në shoqëri.
