Lajme

“Superarmatimi” i Serbisë, propagandë përballë Kosovës? Ekspertët rrëzojnë pretendimet e Vuçiqit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po vazhdon me deklaratat e tij kërcenuse karshi Kosovës, duke  pretenduar se Serbia sot ka kapacitete më të mëdha ushtarake sesa në periudhën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Sipas tij, fuqizimi i ushtrisë është rezultat i investimeve të vazhdueshme dhe rritjes ekonomike, duke theksuar se vendi posedon armatim modern, më të avancuara se të Izraelit.

“Tani jemi shumë më të fortë dhe pikërisht për këtë arsye askush nuk do të na sulmojë, por duhet të vazhdojmë të forcohemi”, ka thënë ai, duke theksuar se rritja e kapaciteteve mbrojtëse është rezultat i investimeve të vazhdueshme dhe zhvillimit ekonomik.

Duke folur për Kosovën, Vuçiq ka shtuar se çështja është rikthyer në tryezën e negociatave.

“Ne jemi më të fortë se më parë, por nuk dua luftë. U kam premtuar qytetarëve paqe,” u shpreh ai.

Këto deklarata kanë ngjallur reagime në Ballkan.

Sipas ekspertëve të sigurisë deklarata të tilla janë pjesë e një retorike të vazhdueshme me tone militariste ndaj Kosovës, që synon më shumë presion politik dhe ndikim në opinionin e brendshëm sesa pasqyrim real të situatës në terren. Ato shihen si përpjekje për të testuar reagimet ndërkombëtare dhe për të rritur peshën negociuese të Serbisë në dialog.

Njëkohësisht, ekspertët theksojnë se Kosova sot ka institucione të konsoliduara të sigurisë dhe mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, ndërsa çdo përshkallëzim eventual do të kishte pasoja serioze politike dhe të sigurisë për rajonin. 

Retorika e tillë vlerësohet shqetësuese për stabilitetin, por kërkohet trajtim i matur, pa panik dhe në koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë.

Racaj: Deklaratat e Vuçiqit si testim politik, jo realitet ushtarak

Gjeneral Major Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka është shprehur se deklaratat e presidentit serb me tone militariste ndaj Kosovës nuk janë thjesht reagime politike të momentit, por pjesë e një strategjie të vazhdueshme për presion politik, psikologjik dhe propagandistik.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vazhdon të përdorë një retorikë të ashpër dhe deklarata me tone militariste ndaj Kosovës, të cilat nuk duhet të shihen vetëm si deklarata emocionale apo politike të momentit, por si pjesë e një strategjie të vazhdueshme për presion politik, psikologjik dhe propagandistik ndaj Republikës së Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.

Është fakt historik se Serbia, në shumicën e konflikteve të saj të mëdha historike, nuk ka arritur fitore të vetme pa mbështetjen direkte të aleatëve të mëdhenj ndërkombëtarë, qofshin ata Rusia, fuqitë sllave apo koalicionet e ndryshme ushtarake të kohës. Edhe sot, retorika e saj mbështetet më shumë në propagandë dhe demonstrim force sesa në një realitet strategjik të qëndrueshëm ushtarak”, ka thënë ai.

Image
Muhamet Racaj

Tutje, Racaj ka potencuar se deklarata e Vuçiit, për mundësinë e hyrjes në luftë duhet marrë seriozisht, pasi synon të testojë reagimin ndërkombëtar, të mobilizojë opinionin nacionalist në Serbi dhe të ushtrojë presion ndaj Kosovës. 

“Deklarata e Vuçiqit se Serbia “sot do të kishte arsye për të hyrë në luftë” duhet të konsiderohet seriozisht, sepse ajo synon të testojë reagimin e faktorit ndërkombëtar, të mobilizojë opinionin nacionalist brenda Serbisë dhe njëkohësisht të ushtrojë presion ndaj institucioneve të Kosovës. Megjithatë, situata aktuale nuk mund të krahasohet me vitin 1999. Kosova sot është shtet funksional me institucione legjitime të sigurisë, me Polocinë e Josovës dhe Forcën e sigurisë se shumë shpejtë po shëndrrohet në një ushtri moderrne e trajnuara sipas standardeve të shteteve euroatlantike. Po ashtu, morali i qytetarëve dhe i strukturave të sigurisë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mbetet shumë i lartë.

Në këtë aspekt, nuk duhet harruar prania dhe roli i KFOR dhe EULEX, të cilat përfaqësojnë një faktor të rëndësishëm stabiliteti dhe sigurie në rajon. Çdo aventurë eventuale ushtarake nga Serbia do të përballej jo vetëm me institucionet e Kosovës, por edhe me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Racaj ka shtuar se pohimi i Vuçiqit se Serbia ka armë më të avancuara se Izraeli është më shumë retorikë propagandistike për përdorim të brendshëm politik sesa vlerësim real ushtarak. 

Sipas tij, kjo lloj retorike e Beogradit shërben për të rritur presionin ndaj Kosovës, për të krijuar pasiguri në rajon dhe për të forcuar narrativën e brendshme politike.

Sa i përket deklaratës së Vuçiqit se Serbia posedon armë më të avancuara se Izraeli, kjo më shumë ngjan me retorikë propagandistike për konsum të brendshëm politik sesa me një vlerësim realist ushtarak. Israel konsiderohet një nga fuqitë më të avancuara ushtarake dhe teknologjike në botë, me sisteme moderne të mbrojtjes ajrore, inteligjencë të avancuar dhe industri ushtarake të zhvilluar globalisht. Krahasimi i Serbisë me Izraelin në aspektin teknologjik ushtarak nuk qëndron mbi baza reale strategjike.

Kjo retorikë e përsëritur e Beogradit mbetet shqetësuese sepse kontribuon në destabilizimin e klimës politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Serbia përmes deklaratave të tilla tenton të rrisë presionin politik ndaj Kosovës, të krijojë pasiguri psikologjike dhe të paraqitet si faktor dominues rajonal. Njëkohësisht, kjo retorikë përdoret edhe për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme politike, ekonomike dhe sociale me të cilat përballet Serbia”, ka theksuar ai.

Sipas tij, çdo përpjekje për destabilizim do të kishte pasoja serioze politike dhe të sigurisë, sidomos për Serbinë.

“Megjithatë, rajoni sot ndodhet në një realitet tjetër gjeopolitik. Kosova ka mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, partneritet strategjik me NATO dhe aleatët perëndimorë, ndërsa çdo tentativë për destabilizim do të kishte pasoja serioze politike, diplomatike dhe të sigurisë për vetë Serbinë. Prandaj, deklaratat e tilla duhen trajtuar me vigjilencë, por jo me panik, duke forcuar më tej institucionet e sigurisë dhe koordinimin me partnerët strategjikë ndërkombëtarë”, ka përfunduar Racaj.

Berisha: Kosova të mos krijojë panik, por të trajtojë seriozisht deklaratat e Beogradit

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha u shpreh se Vuçiq vazhdon me deklarata që, sipas tij, janë të njëanshme dhe të drejtuara kundër Kosovës. 

Image
Fidair Berisha

Sipas tij, Serbia po përdor një diskurs që synon të mbajë të gjallë idenë e forcës ushtarake, me qëllim rritjen e presionit politik ndaj Kosovës. 

“Deklaratat e presidentit Vuçiq vazhdojnë të jenë tendencioze, sidomos ndaj Kosovës. Personalisht, këto deklarata nuk më habisin dhe nuk pres nga një president si Vuqiq të ketë qëndrime ndryshe. Të gjithë e dimë se nuk është hera e parë që ai përdor deklarata të tilla.

Kur i analizojmë gjërat me kujdes, kuptojmë se Serbia, përmes këtij diskursi, po tenton të mbajë gjallë narrativën e fuqisë ushtarake, me qëllim që të rrisë presionin politik ndaj Kosovës dhe njëkohësisht të forcojë pozitën e saj negociuese në dialogun me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Ky fakt ka qenë i pranishëm në politikën e Serbisë që nga vitet 2000 e këndej”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, Berisha në bashkënisedimin e tij me “Bota sot” ka vlerësuar se deklaratat e Vuçiqit mund të shihen edhe si një mesazh i drejtuar opinionit të brendshëm në Serbi, duke pasur parasysh pakënaqësinë e theksuar të qytetarëve me gjendjen politike dhe sociale në vend.

Deklaratat e presidentit Vuçiq  mund të interpretohen edhe si mesazh për opinionin e brendshëm serb, pasi një pjesë e madhe e popullatës atje është jashtëzakonisht e pakënaqur me gjendjen politike dhe sociale në Serbi.

Ndërsa krahasimet me vitin 1999 dhe përmendja e kapaciteteve ushtarake kanë për qëllim të projektojnë forcë dhe të krijojnë perceptimin e një Serbie më të fuqishme në aspektin ushtarak dhe strategjik. Personalisht, mendoj se ky është një fakt që nuk duhet neglizhuar, pasi Serbia vazhdimisht është armatosur dhe pritet të vazhdojë të armatoset edhe në të ardhmen”, ka vlerësuar ai.

Mes tjerash, Berisha ka nënvizuar se retorika e Vuçiqit për luftë apo përdorim force është shqetësuese për stabilitetin rajonal dhe nuk duhet të neglizhohet, sidomos në një kohë kur Ballkani Perëndimor mbetet i ndjeshëm ndaj tensioneve politike dhe të sigurisë.

Në fund, ai ka potencuar se Kosova duhet të veprojë në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar dhe t’i trajtojë këto deklarime me seriozitet, por pa nxitur panik. 

“Retorika e Presidentit Vuçiq për luftë apo përdorim force është shqetësuese për stabilitetin rajonal dhe nuk guxon të neglizhohet, sidomos në një kohë kur Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet i ndjeshëm ndaj tensioneve politike dhe të sigurisë. Këto deklarata nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por përkundrazi rrisin tensionet dhe klimën e pasigurisë.

Kosova, me politikën e saj, duhet të jetë në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar dhe t’i trajtojë me seriozitet këto deklarime, por pa krijuar panik. Kosova duhet të jetë vigjilente ndaj çdo veprimi të Serbisë dhe, mbi të gjitha, të ruajë orientimin euro-atlantik, sipas mundësive të furnizohet me armatimin më të ri si dhe të vazhdoj koordinimin me aleatët dhe përkushtimin ndaj dialogut dhe sigurisë së shtetit”, ka përfunduar Berisha për “Bota sot”.

Të Ngjashme