Lajme

Sveçla: Nuk do të ketë kompromis ndaj krimeve të luftës

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucionet e Kosovës po i hetojnë dhe ndjekin penalisht krimet e luftës më shumë se kurrë më parë. Ai përgëzoi Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe AKI-në për arrestimin e pesë personave të dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut dhe të një të dyshuari për vrasjen e civilëve në Ponesh të Gjilanit.

Sveçla theksoi se Serbia duhet të japë llogari për krimet e kryera në Kosovë dhe se drejtësia për viktimat mbetet obligim institucional e moral. Ai shtoi se institucionet do të vazhdojnë ndjekjen e kriminelëve të luftës, duke përmendur edhe forcimin e kapaciteteve për hetimin e krimeve të luftës në kuadër të Policisë së Kosovës.

Postimi në Facebook:

Krimet e luftës të kryera nga forcat policore-ushtarake si dhe ato paramilitare serbe po hetohen dhe ndiqen penalisht si asnjëherë më parë, sepse nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë kompromis ndaj krimeve të kryera kundër popullatës sonë.

Përgëzoj Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe AKI-në për arrestimin e pesë të dyshuarve për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut, si dhe të një të dyshuari për vrasjen e civilëve në Ponesh të Gjilanit.

Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe për këtë fakt, të gjithë ata që kanë planifikuar, urdhëruar apo zbatuar krime kundër popullit tonë duhet të ballafaqohen me drejtësinë. Plaga e dhimbjes së familjeve të viktimave dhe e mbarë shoqërisë sonë mbetet e madhe, por drejtësia është detyrim institucional dhe moral që nuk parashkruhet.

Ne do të vazhdojmë pa u ndalur në ndjekjen e kriminelëve të luftës, derisa secili përgjegjës të japë llogari për veprat e kryera. Mbi këtë qëllim, hetimin e krimeve të luftës në kuadër të Policisë së Kosovës e kemi mbështetur pa rezervë e avancuar nga Sektori në Drejtori, duke ia dyfishuar edhe numrin e personelit.

Vetëm duke vendosur drejtësi për viktimat, forcojmë të vërtetën historike, ndërtojmë një të ardhme të bazuar në dinjitet dhe përgjegjësi dhe parandalojmë përsëritjen e historisë së dhimbshme.

Të Ngjashme