Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri ka kritikuar moskonstituimin e Kuvendit, duke thënë se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Tahiri deklaroi se mosardhja e deputetëve në Kuvend dhe zvarritja e konstituimit po lidhen, sipas tij, me një varg veprimesh brenda Qeverisë, e cila vazhdon të funksionojë me ushtrues detyre.
“Mosardhja në Kuvend, moskonstituimi i Kuvendit po shihet që e ka qëllimin në një varg veprimesh brenda Qeverisë. Sot Qeveria po funksionon me ushtrues detyre. Për rreth dy vite, të gjitha ministritë funksionojnë me ushtrues detyre”, tha Tahiri në konferencë për media.
Ai kritikoi gjithashtu mbajtjen e njëkohshme të pozitave në ekzekutiv dhe në Kuvend.
“Nuk mundesh me qenë edhe ministër edhe deputet i betuar. Të gjitha këto, VV-ja i ka për t’iu ikur përgjegjësisë”, u shpreh ai.
Tahiri ngriti shqetësime edhe për gjendjen në shëndetësi, duke thënë se sektori përballet me probleme të mëdha sa i përket kushteve, pagave, furnizimit me barna dhe funksionimit të sallave operative.
“Sektori i shëndetësisë, jam dëshmitar që gjendja, kushtet, pagat, barnat, sallat operative, hyrjet, krejt janë në një nivel shumë të vështirë”, tha ai.
