Aktuale

“Të gjithë shefat të japin dorëheqjen”/ Drejtuesi i ri i Ujësjellësit Durrës, Albi Lika, ultimatum vartësve

Brenda ditës së Premte të kësaj jave, rreth 10-12 drejtues të administratës së Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës, duhet të dorëzojnë dorëheqjen në zyrën e Administratorit të ri, Albi Lika.

Me këtë ultimatum e ka nisur ditën e parë të punës kreu i ri, duke shtangur vartësit e tij të rinj, në një mbledhje të zhvilluar mesditën e së Hënës.

I ardhur nga fusha e biznesit, administrator i ri i Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës, duket se është i paazhornuar me veprimtarinë në administratën publike.

Albi Lika u emërua në këtë pozicion vetëm nga ortaku maxhoritar i Ujësjellësit Durrës, Ministria e Infrastrukturës. Ndërkohë, rezulton se ortakët e tjerë, të cilët janë bashkitë e qarkut Durrës, rezulton se nuk kanë firmosur. Ai duhet të paraqitej në punë në 9 Tetor 2026.

Por, ai u shfaq në detyrë të hënën, 13 dhjetor. Për këtë vonesë, burime të “Boldnews.al” nga Ministria e Infrastrukturës thonë se autoriteti kryesor, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), ka aplikuar ndaj tij një masë administrative gjobë.

Megjithëse vlera e gjobës mund të jetë e përballueshme lehtësisht për drejtorin e ri, prezantimi i tij i parë me stafin tregon se Lika duhet të ketë shumë punë për të kuptuar rëndësinë e pozicionit administrative.

Në mesditën e ditës së Hënë, kreu i ri i Ujësjellësit Durrës u paraqit në punë për vetëm gjysëm orë, aq sa ishte e mjaftueshme për të treguar qëllimet e tij në krye të institucionit.

Albi Lika thërriti një mbledhje urgjente me 12 shefa të drejtorive të ndryshme administrative të Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Urdhëri i tij i parë ishte që të gjithë pjesëmarrësit në mbledhje të linin telefonat në zyrat e tyre.

Më pas, duke u treguar i kufizuar në fjalë, ai iu drejtua vartësve të tij të rinj me ultimatumin: “Të gjithë, brenda ditës së premte të kësaj jave, duhet të dorëzoni dorëheqjen në zyrën time”.

Burime nga mbledhja i thanë “Boldnews.al” se Lika e ka argumentuar kërkesën e tij me shprehjet: “Unë jam i qartë për punën e secilit prej jush. Jam i pakënaqur dhe duhet të largoheni nga pozicionet tuaja”.

Pas kësaj kërkese të parë, administratori i ri i Ujësjellësit, paraqiti edhe një urdhër tjetër: “Bashkë me dorëheqjen, do të dorëzoni edhe një biografi profesionale (CV)”.

Për një pjesë të atyre që ishin në mbledhje, pas “shock-ut” që pësuan nga kërkesa për dorëheqje, ai urdhëri i dytë për dorëzimin e CV-ve, iu duk tërësisht i pakuptimtë.

Albi Lika zëvendësoi në detyrë paraardhësin e tij, Migen Duka, i cili u dorëhoq nga detyra vetëm dy muaj pas emërimit të tij.

Ujësjellësi i Durrësit, ashtu si pjesa më e madhe e Shoqërive Rajonale të Ujësjellës-Kanalizime në Shqipëri, ka një performancë larg pritshmërisë së publikut. Kjo situatë është rrjedhojë kryesisht e mungesës së investimeve dhe tej-mbushjes së organikës, kryesisht me militantë të Partisë Socialiste, siç ka akuzuar shpesh opozita./Boldnews.al

Të Ngjashme