Aktuale

“Tërmet” në Policinë e Shtetit, Skënder Hita firmos disa ndryshime, priten të tjera lëvizje (EMRAT)

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka firmosur një sërë ndryshimesh në radhët e bluve. Mësohet se ndryshimet kanë sjellë lëvizje në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit në Korçë dhe Elbasan, ndërsa në ditët në vijim pritet që të ketë të tjera emërime dhe transferime në qarqe të ndryshme të vendit.

Sipas informacioneve, Luigj Vathi është emëruar drejtor i ri i Kufirit dhe Migracionit në Korçë. Vathi ka mbajtur më herët detyrën e drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

Në këtë post, Vathi zëvendëson Gëzim Zhupajn, i cili e mbante detyrën prej rreth dy vitesh. Zhupaj është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ku do të ushtrojë detyrën e shefit të sektorit.

Ndryshime ka edhe në drejtimin e Policisë së Elbasanit. Siç raportoi më herët Newsbomb, Kastriot Skënderi është emëruar drejtor i ri i Drejtorisë Vendore të Policisë së këtij qarku.

Skënderi është një drejtues me përvojë në radhët e Policisë së Shtetit dhe ka mbajtur më herët disa poste drejtuese në strukturat e uniformave blu. Ai është vendosur drejtor i ri i Policisë së Elbasanit duke zëvendësuar Fatmir Hoxhën.

Lëvizjet e fundit vijnë në kuadër të riorganizimeve në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit. Mësohet se ndryshimet pritet të vijojnë edhe në qarqe të tjera, ku drejtuesit aktualë nuk kanë pësuar lëvizje që prej marrjes së detyrës nga Skënder Hita në krye të Policisë së Shtetit.

Të Ngjashme