Lajme

Terras: E ardhmja e Kosovës në BE, por anëtarësimi kërkon reforma

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, tha se e ardhmja e Prishtinës është në Bashkimin Evropian, por për anëtarësim në bllok kërkohen reforma.

“Po punojmë në këtë drejtim”, tha ai në një postim në X pasi zhvilloi takime me udhëheqës politikë në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Terras fillimisht u takua me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Haxhiu kërkoi që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE të trajtohet “pa vonesa të mëtejme”, duke shtuar se përparimi i vendit drejt bllokut evropian duhet të vlerësohet mbi bazë të meritave.

“Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Presidenca e Kosovës.

Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian. Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka statusin e vendit kandidat.

Gjatë takimit, sipas njoftimit, Haxhiu foli edhe për dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë dhe për “mungesën e përgjegjësisë” për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Më 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Këtë sulm Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Beogradin. Por, Serbia mohon përfshirjen. Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – teksa Kosova kërkon vazhdimisht që Serbia ta ekstradojë atë.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, eurodeputeti Terras u takua edhe me ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, e vlerësoi rolin e Parlamentit Evropian në mbështetjen e aspiratave të Kosovës.

“Republika e Kosovës mbetet e angazhuar maksimalisht për avancimin e rrugës evropiane, thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e hapave të nevojshëm drejt integrimit të plotë në BE”, u tha në njoftimin e lëshuar nga MPJD-ja.

Eurodeputeti gjatë qëndrimit në Prishtinë zhvilloi takim edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Vizita e raportuesit të përhershëm për Kosovën në PE vjen pasi në mesin e muajit qershor, PE-ja miratoi rezolutën vjetore për Kosovën. Pas miratimit të rezolutës, Terras tha se reformat dhe përparimi në dialogun Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku, mbeten kyç në rrugën evropiane të Kosovës. / REL

Të Ngjashme