Ministrat e Jashtëm të Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Indonezisë, Katarit, Egjiptit, Pakistanit, Arabisë Saudite dhe Jordanisë dënuan bastisjet në Xhaminë Al-Aksa nga kolonët izraelitë nën mbrojtjen e forcave izraelite dhe shpalosjen e flamurit izraelit në oborrin e saj.
Në deklaratë thuhet se këto veprime “përbëjnë një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare, rezolutave përkatëse të OKB-së dhe statusit historik dhe ligjor të vendeve të shenjta në Jerusalemin Lindor të pushtuar”.
Ministrat dënuan gjithashtu përpjekjet për të ndryshuar statusin e Jerusalemit dhe theksuan se e gjithë Xhamia Al-Aksa është “një vend adhurimi ekskluzivisht për myslimanët”, ndërsa autoriteti për administrimin e saj i takon Departamentit të Vakëfeve të Jerusalemit nën Jordaninë, shkruan Anadolu.
Ata paralajmëruan se këto veprime rrisin tensionet dhe minojnë paqen, duke e mbajtur Izraelin përgjegjës për përshkallëzimin.
Ministrat bënë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të këtyre praktikave dhe riafirmuan mbështetjen për palestinezët dhe zgjidhjen me dy shtete “në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet”.
