Aktuale

Thellohet përplasja Rama-CNN/ Gazetarja Isa Soares publikon mesazhet e qytetarëve shqiptarë

Përplasja e ashpër mes kreut të qeverisë shqiptare, Edi Rama, dhe gazetares së njohur të CNN, Isa Soares, po merr përmasa akoma më serioze. Vetëm pak kohë pasi kryeministri Rama lëshoi akuza publike ndaj medias prestigjoze amerikane gjatë një aktiviteti në Romë, duke pretenduar se CNN duhet t’i kërkojë falje Shqipërisë, Soares ka kthyer përgjigje duke u bërë zëdhënëse e qytetarëve që po ngrihen në protesta. Përmes një postimi në rrjetin e saj në Instagram, gazetarja bëri me dije se prej gati tre javësh ka ndjekur tubimet e shqiptarëve dhe ka pranuar një lumë mesazhesh nga njerëz të ndryshëm brenda dhe jashtë kufijve.

Gazetarja shpjegoi se ka vendosur t’i ndajë këto dëshmi me ndjekësit e saj për t’u dhënë zë atyre që shpesh nuk dëgjohen, duke garantuar se identiteti i tyre do të mbetet sekret për shkaqe sigurie. Këto shkrime të publikuara ngjajnë me një dosje të vërtetë akuzash ndaj periudhës 13-vjeçare të pushtetit të Edi Ramës.

See also  “Jam shumë i penduar që u bëra pjesë”/ Eksperienca si fermer, Akili: U preva në besë, dua ta harroj sa më shpejt

Nga mesazhet e nxjerra në dritë, kuptohet se revolta shkon përtej planeve të fundit për ishullin e Sazanit. Qytetarët flasin për një pakënaqësi të thellë që lidhet me ryshfetin e përhapur kudo, varfërinë, mungesën e vendeve të punës për rininë dhe kapjen e shtetit. Akuzat rëndohen edhe më tej kur flitet për tjetërsim të pronave publike, shitje të pasurive të përbashkëta dhe shkatërrim të mjedisit, siç është rasti i ndërtimeve në Lagunën e Nartës.

Sipas dëshmive që ndau gazetarja, fjala “zhvillim” po përdoret thjesht si mbulesë për të ngritur hotele dhe resorte luksoze për një grup të vogël njerëzish të pasur, duke privatizuar bregdetin pa asnjë lloj transparence. Po ashtu, njerëzit ankohen për harresën ndaj spitaleve që nuk kanë as medikamentet bazë, për pensionet qesharake dhe zbrazjen e vendit. Motoja që ka bashkuar të gjitha këto mesazhe të publikuara në CNN është vetëm një: “Shqipëria nuk po shitet!”.

See also  ‘Kokat’ e grupit kriminal të trafikut të drogës në Sarandë, del foto e vëllait të Edmond Papës e bashkëpunëtorit të tij

Mes të tjerash, në shkrimet e publikuara thuhet se kryeministri nuk i mbajti premtimet për një shtet ligjor dhe të përgjegjshëm. Një pjesë e mirë e qytetarëve ngrinin alarmin për zbrazjen e vendit nga rinia, vlerën e ulët të pensioneve, kolapsin në spitale dhe varfërinë që po gjunjëzon familjet shqiptare. Po ashtu, një tjetër pikë e nxehtë e kritikave ishin projektet në zonat e mbrojtura dhe mbi pasuritë e përbashkëta, ku kërkohej me ngulm që vendimet për të ardhmen e vendit të mos merren pa u konsultuar më parë me publikun.

Të Ngjashme